Më afër se kurrë: Prishtina dhe Durrësi, “bashkohen” me një hekurudhë

09/12/2021 17:58

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë, Liburn Aliu prezantoi projektin për ndërtimin e hekurudhës Prishtinë – Durrës, e cila do ta kthejë sipas tij Kosovën në një pikë të rëndësishme të tranzitit të mallrave në rajon.

Ai shpjegoi se në buxhetin për 2022 për fazën e parë të këtij projekti, apo studimin e fizibilitetit, janë ndarë 1 milion euro.

Mund të them se ky projekt po merr rrugën e vet dhe jemi në faza ku tashmë mund të fillojmë edhe me hartimin e një plani të menaxhimit të saktë, i cili përfundon së shpejti dhe do të na japë të qartë si edhe në aspektin kohor dhe financiar të realizimit të këtij projekti”.

Aliu shtoi se tre korridoret panevropiane hekurudhore që funksionojnë në rajon; korridori i 8-të, i 10-të e ai Blu- Jon Adriatik e anashkalojnë Kosovën.

Por, me ndërtimin e hekurudhës Prishtinë – Durrës, Kosova do të mund të bëhet një pikë e rëndësishme lidhëse mes këtyre korridoreve.

Një prej tre varianteve se nga do të kalojë traseja e kësaj hekurudhe sipas tij është korridori përmes Luginës së Drinit, që  lidh Shkodrën me Gjakovën e pastaj Prishtinën.

Marrëveshja për linjën hekurudhore u nënshkrua gjatë takimit të kryeministrit Edi Rama me shefin e ekzekutivit të Kosovës, Albin Kurti në fund të nëntorit në Tiranë, takimi i shtatë, i përvitshëm, mes qeverive të dy vendeve.

Top Channel