Biden nis samitin e demokracisë, “aksi ruso-kinez” hidhet në sulm

09/12/2021 17:26

Presidenti amerikan, Joe Biden çel sot samitin virtual dy ditor për Demokracinë, që do të bashkojë udhëheqësit botërorë, shoqërinë civile dhe sektorin privat, për të “përcaktuar një agjendë afirmative për ripërtëritjen e demokracisë dhe për të trajtuar kërcënimet më të mëdha me të cilat përballen demokracitë sot”.

Samiti është pjesë e zotimit të tij gjatë fushatës për të forcuar demokracinë në mbarë botën, në një kohë kur qeveritë autokratike janë në rritje.

Një samit me pjesëmarrje fizike është planifikuar për vitin e ardhshëm, por një zyrtar i lartë i administratës i tha Zërit të Amerikës se kjo nismë nuk pritet të vazhdojë përtej administratës Biden.

Është e paqartë se sa do të shndërrohen në veprime angazhimet e pjesëmarrësve.

Ndërsa zotimet e tyre nuk do të jenë ligjërisht të detyrueshme, qeveritë do të kenë ende nevojë për mbështetjen e zgjedhësve të tyre dhe burime për t’i shndërruar ato në veprime përtej fjalëve.

Më shumë se 100 vende janë ftuar, duke përfshirë demokracitë liberale, demokracitë më të dobëta dhe madje disa shtete me karakteristika autoritare.

Lista e të ftuarve ka ngritur pikëpyetje – për shembull, pse u ftuan disa vende dhe jo të tjera.

Bosnja e Hercegovina, e cila ka 53 pikë në treguesin e organizatës Freedom House, nuk u ftua, por Kosova, me 54 pikë u ftua së bashku me nëntë vende të tjera të Ballkanit.

Pakistani, i cili ka 37 pikë në tregues hyri në listë, ndërsa Sri Lanka, me 56 pikë, jo.

CNN thotë se mediat ruse e ato kineze janë hedhur sakaq në sulm me qëllimin të diskretitojnë këtë lëvizje të Bidenit, duke e cilësuar eventin si “një sumit të ashtuquajtur për demokracinë”, ndërsa nuk kanë munguar dhe komentet fyese.

Top Channel