31 vite më parë asnjë nga pjesmarrësit e lëvizjes studentore nuk e kishte menduar se partia që themeluan do të hynte në një krizë të brendshme.
“Partia Demokratike është shumë larg asaj që shpresohej të ishte në vitin ‘90 dhe mund të shkojë akoma më larg. Në rast se nuk do di të reflektojë që edhe nga kjo përplasje e brendshme të nxjerrë mësimet e duhura”, thotë Astrit Patozi.
“Në përgjithësi, partitë tona nuk janë demokratike. Por, ta mendosh që sot pas 31 vitesh nuk ke konkurrencë, nuk ke gare natyrisht nuk ndihesh mirë pasi nëse s’ke konkurrencë , nëse s’ke liri dhe demokraci brenda partisë, si do bësh demokraci për vendin tënd?”, pyet Aleksandër Biberaj.
Dy ish-dhjetoristët Aleksander Biberaj dhe Astrit Patozi ndajnë qasje të ndryshme për rezultatin final qe do prodhojë përplasja e ashpër Basha-Berisha.
“Partia Demokratike do të vërtitet për shumë kohë mes një debati shumë të madh për legjitimitetin, të dyja palët do të pretendojnë se kanë legjitimitetin dhe përfaqësojnë Partinë Demokratike. Sa më gjatë të shkojë kjo agoni, aq më keq do jetë për Partinë Demokratike dhe demokratët”, thotë Patozi.
“Jo, nuk mendoj se do të kemi dy parti, do kemi një parti, mendoj se përsëri ka hapësirë për bashkëpunim, nëse nuk ndodh një bashkim vullnetesh pastaj le të vendose shumica dhe pjesa tjetër të jetë pakicë si fraksion i Partisë Demokratike”, shprehet Biberaj.
Ky 8 Dhjetor i gjen demokratët jo vetëm në opozitë, por edhe në mesin e një përplasjeje të paprecedentë mes kryetarit dhe ish-kryetarit. Përballja finale e tyre rrezikon përçarjen e Partisë Demokratike në ditën e përvjetorit të themelimit të saj.
Top Channel