Operacioni i dytë i finalizuar nga strukturat hetimore të DVP Lezhë, mbrëmjen e djeshme, është ai i koduar “Rrethi”,  për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Si rezultat i tij u bë i mundur arrestimi i Vlash Shahini, 24 vjeç, banues në fshatin Merqi, Lezhë.

“Ky shtetas është kapur në flagrancë gjatë operacionit, nga specialistët për Hetimin e  Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Lezhë, pasi me automjetin e tij tip “Audi”,  po transportonte në drejtim të Tiranës, 20 kilogramë e 600 gramë lëndë narkotike cannabis sativa, me qëllim shitjen e saj.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë është duke zhvilluar kontrolle intensive në terren dhe duke zhvilluar operacione për kapjen e personave që tentojnë të kryejnë krime kundër personit e pronës, që mbajnë armë zjarri apo qarkullojnë me to dhe të atyre që tentojnë të kultivojnë apo të trafikojnë lëndë narkotike. Si rezultat i kontrolleve, gjatë dy javëve të fundit janë sekuestruar arsenal armësh e municonesh luftarake dhe lëndë shpërthyese. Gjithashtu është parandaluar një ngjarje e rëndë kriminale në familje, si dhe janë zhvilluar dy operacione për kapjen e personave që kryejnë vjedhje të pronës së qytetarëve”, njofton policia.

Në njoftimin për media theksohet se strukturat policore të DVP Lezhë janë tërësisht të angazhuara dhe të fokusuara në luftën kundër krimit e paligjshmërisë, me qëllim rritjen e parametrave të rendit e sigurisë dhe në këtë kuadër i ftoj sërish qytetarët e qarkut Lezhë, që të bashkëpunojnë më shumë me Policinë, të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm e profesional nga ana e Policisë.

Top Channel