Tiranë/ ‘Kompleksi’ çon në pranga 5 persona, sekuestrohet heroinë dhe 2 mijë euro. Detajet e operacionit

07/12/2021 10:58

Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Kompleks”, si rezultat i të cilit kanë rënë në pranga 5 persona. Operacioni kishte për qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta.

“Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta, bazuar dhe në provat e grumbulluara, si rezultat i një hetimi disamujor, nën drejtimin e Prokurorisë, nga specialistët për Hetimin e Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë, në bashkëpunim me specialistët e Strukturave të Hetimit në DVP Tiranë, është finalizuar operacioni policor “Kompleks”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga shtetasit: Sh. P., 24 vjeç, për veprat penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”; Xh. K., 23 vjeç, G. Z., 23 vjeç, A. D., 30 vjeç dhe E. D., 26 vjeç, për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim”, njofton policia.

Bëhet e ditur se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin aktivitet kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit heroinë dhe cannabis sativa, në zona të ndryshme të Tiranës.

Gjatë operacionit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri e llojit pistoletë, 2.600.000 lekë të rinj dhe 2000 euro të përfituara nga ky aktivitet kriminal, një sasi lënde narkotike heroinë, një pjesë e ndarë në doza gati për shitje, një peshore elektronike që shërbente për peshimin e lëndës narkotike, 10 telefona celular, një automjet që përdorej nga të arrestuarit, për shpërndarjen e lëndës narkotike.

Vijon operacioni për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë, si dhe dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel