Një konflikt për motive të dobëta ka çuar në plagosjen e një personi në Pukë, ndërsa policia ka arritur të arrestojë në flagrancë autorin e dyshuar të ngjarjes.

Sipas njoftimit të bërë nga policia mësohet se mesditën e sotme një 43-vjeçar, gjatë një konflikti me shtetasin D.G., e ka goditur me thikë!

Për pasojë, 52-vjeçari është dërguar menjëherë drejt spitalit të Pukës, nën kujdesin e mjekëve dhe fatmirësisht jashtë rrezikut për jetë.

Ndërsa, falë reagimit në kohë të policisë, u arrestuar autori i ngjarjes.

“Më datë 07.12.2021, rreth orës 11:30, në Fushë Arrëz, shtetasi F. M., 43 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës thikë, shtetasin D. G., 52 vjeç, banues në Fushë Arrëz.

I dëmtuari ndodhet në spitalin e Pukës, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale u bë e mundur kapja dhe shoqërimi në ambientet e Policisë, i autorit të dyshuar të ngjarjes”, njofton policia.

Ndërkaq, grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e ngjarjes.

Top Channel