Në vitet e fundit mafia shqiptare është bërë gjithnjë e më shumë e rëndësishme në Evropë për menaxhimin e trafikut të kokainës duke krijuar lidhje shumë të forta edhe me mafiozët italianë.

Mes viteve 2018 dhe 2020, shumica e arrestimeve në Evropë për trafik kokaine përfshinin shtetas shqiptarë; përkatësisht 266 persona. Një shifër e tillë kalonte numrin e personave të arrestuar në Evropë nga Brazili dhe Kolumbia për të njëjtën periudhë të vitit.

Me numrin e lartë të arrestimeve u rrit edhe performanca në menaxhimin e këtij tregu. Nëse prej vitesh trafikantët shqiptarë ishin kufizuar në fuqinë punëtore të organizatave të tjera kriminale, tani këto grupe, të strukturuar sipas modelit të “Ndranghetës” italiane, arritën të ndërtonin marrëdhënie të forta me trafikantët e drogës në Amerikën e Jugut, veçanërisht në Ekuador, ku dhe kanë rritur ndikimin e tyre.

Më parë, grupet kriminale shqiptare luanin një rol mbështetës, tashmë këto grupe po imponohen kudo. Një raport i fundit i Europol, tregon se mafia shqiptare kontrollon një pjesë të madhe të tregut të kokainës në Britani të Madhe dhe ka një rol shumë të fortë në Gjermani, Belgjikë, Zvicër, Bullgari dhe Greqi.

Për arsye logjistike dhe afërsie, vendi ku biznesi i tyre lulëzon më shumë është Italia.

Gjatë një konference të organizuar në muajin gusht, Nicola Gratteri, prokuror publik në Catanzaro, i cili ka qenë i përfshirë në luftën kundër “Ndrangheta-s” për vite me radhë deklaroi se “për të tre vjet të paktën kam thënë se në Evropë ka një mafie të re që po shfaqet dhe është ajo shqiptare. Shqipëria është një vend i korruptuar, ku është e lehtë të korruptosh zyrtarët publikë. Nëse ata largohen nga Shqipëria dhe tani kanë edhe fuqi ekonomike, mund të forcohen si një mafie ndërkombëtare”.

Një dëshmi e aktivizimit të mafies shqiptare vjen nga operacionet policore. Për shembull, në muajin shtator të vitit 2020, operacioni Los Blancos goditi klanin më të fortë shqiptar të pranishëm në Evropë, Kompania Bello.

Policia italiane, Europol dhe Eurojust morën pjesë në operacion. Hetimet nisën me një sherr të dhunshëm të ndodhur në vitin 2014 në qendër të Firences. Dy grupe rivale shqiptarësh u përplasen, duke konkurruar për vendet e prostitucionit në zonat mes Firences dhe Pratos. Policia arriti të zbulojë se disa nga të arrestuarit ishin të përfshirë edhe në trafik droge.

Për të komunikuar me njëri-tjetrin, anëtarët e këtyre grupeve përdornin sistemin e mesazheve të telefonave celularë BlackBerry, në vijim të komunikimeve dhe pas një hetimi disa vjeçar, policia europiane zbuloi një trafik kokaine që nisej nga Ekuadori dhe mbërrinte në portet e Antëerpen dhe Roterdamit. Nga aty, sasia e kokainës nisej në drejtim të Italisë, përmes mauneve të transportit ndërkombëtar.

“Në çdo ngarkesë, shpjegoi prokurori Federico Cafiero de Raho, marka Bello u vendos për të vërtetuar cilësinë e produktit”.

21 shtetas shqiptarë përfunduan në burg, ndërsa 80 të tjerë ishin arrestuar më parë në Holandë, Shqipëri, Belgjikë, Ekuador, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjermani, Greqi, Rumani dhe Hungari. Po ashtu, në prangat e policisë ranë edhe dy drejtuesit e organizatës, Denis Matoshi, 40 vjeç, i arrestuar në Dubai dhe Dritan Rexhepi, gjithashtu 40 vjeç, i kapur në Ekuador.

Rexhepi, i konsideruar si kreu i Kompanisë Bello kishte shumë vite që banonte në Ekuador. Ai kishte mbërritur pas Adriatik Tresës, kapos shumëvjeçar të mafias shqiptare në Amerikën e Jugut, i cili u vra më 20 nëntor të vitit 2020 në La Aurora, pranë Guayaquil, qytetit më të populluar të vendit.

Katër vrasës të maskuar si policë u shfaqen në portën e vilës së tij, duke vrarë atë së bashku me truprojet e tij. Tresa njihej mjaft mirë nga forcat policore amerikano-jugore dhe ato evropiane. Ai kontrollonte një pjesë të konsiderueshme të tregut të kokainës nga një kontinent në tjetrin. Në Ekuador ai kishte gjetur një bazë solide dhe tepër komode.

Arsyet se pse mafia shqiptare ka zgjedhur Ekuadorin si qendër të biznesit të saj janë të shumta.

Kjo duke filluar nga vendndodhja e kufirit me Kolumbinë, vendndodhje qendrore, portet dhe mbi të gjitha korrupsioni i përhapur mes policëve dhe gjyqtarëve.

Prania e trafikantëve shqiptarë të drogës në vend është raportuar që në fillim të viteve 2000.

Deri në vitin 2016, mafia shqiptare kufizohej në mbështetjen e ‘Ndrangheta’s, e cila kontrollonte trafikun nga Amerika e Jugut.

Por në atë vit, megjithatë, pati një zgjerim të madh të kërkesës nga vendet evropiane – kështu që prodhimi u rrit dhe grupet e Amerikës së Jugut kërkonin një palë tjetër.

Shqiptarët ishin gati.

Ata u bënë organizata e parë që shfrytëzoi nëndetëset për të transportuar kokainë nga Ekuadori në Amerikën Veriore dhe Qendrore. Një nëndetëse me shtatë ton kokainë u zbulua në vitin 2013 në Limones, në provincën e Esmeraldas, në Ekuadorin verior.

Edhe në Itali, mafia shqiptare filloi si një aktor mbështetës dhe më pas u vendos si një organizatë e pavarur dhe gjithnjë më e fuqishme. Kjo referuar raportit vjetor të vitit 2020 të Departamentit të Hetimit Anti-Mafia (DIA).

Kriminelët shqiptarë të pranishëm në territorin italian veprojnë në raste të caktuara në nivele të ndryshme. Disa veprojnë brenda grupeve të vogla, duke përfshirë këtu grupet multietnike dhe në raste të tjera është vënë re prania e organizatave të strukturuara dhe të qëndrueshme kriminale, të cilat veprojnë në mënyrë të ngjashme me ato të “mafieve tipike”. Krimi shqiptar është kryesisht aktiv në trafikun e drogës dhe armëve, si dhe në trafikun e qenieve njerëzore dhe shfrytëzimin e prostitucionit, ku në raste të caktuara krijojnë marrëveshje biznesi edhe me organizatat e grupeve të ndryshme etnike si ato rumune dhe nigeriane”, thotë DIA.

Për shkak që mafia shqiptare ka marrëdhënie të ngushta me të gjitha grupet e krimit të organizuar italian, ka bërë që të kenë një strukturë të ngjashme.

Ajo është themeluar vetëm mbi lidhjet familjare. Ekziston një këshill qeverisës, Bajraku, i krahasueshëm me kupolën mafioze. Secili grup ka një kryetar dhe një nënkryetar, i cili nga ana e tij ka një zëvendës që është njeriu i ndërlidhjes me të gjithë anëtarët e organizatës.

Askush, brenda klanit, nuk konsiderohet të jetë punëtor. Nuk ka formulë betimi për anëtarët e klanit; megjithatë, ekziston një kod i pashkruar, i bazuar te besa, pra besimi, respektimi i fjalës./Burimi: IlPost.it

Top Channel