Financieri miliarder dorëzon $70mln në antika të blera nga grabitësit e varreve (fotot)

07/12/2021 18:31

Një financier hebre në SHBA që kishte grumbulluar një koleksion gjigant antikitetesh, ka dorëzuar kryevepra të vjedhura në një vlerë prej më shumë se $70 milionë dhe është ndaluar përjetë të koleksionojë objekte të tillë.

Për të pasuruar koleksionet e tij, 81 vjeçari i pangopur Michael Steinhardt kishte krijuar një rrjet trafikantësh të antikave, shefa të botës së krimit dhe grabitës varresh që sillnin te ai antikitetet e vjedhura, kryesisht nga vende ne konflikt.

Por pas dorëzimit “vullnetar” të objekteve, milioneri arriti ‘sigurisht’ marrëveshjen me autoritetet për të mos shkuar në burg dhe as të marrë akuza kriminale, për antikat që ai kishte përfituar ilegalisht nga 11 vende duke përfshirë Egjiptin, Greqinë, Sirinë, Turqinë, Izraelin e Palestinën, sipas prokurorit i  Manhattan.

“Prej dekadash Michael Steinhardt shfaqte një uri të pangopur për vepra artistike të grabitura  pa asnjë shqetësim nëse veprimet e tij ishin të ligjshme,” tha prokurori Cyrus Vance Jr në një njoftim për shtyp.

“Ai ishte gjithmonë në ndjekje të objekteve të reja për të shitur dhe blerë, pasi nuk njihte kufij gjoegrafikë apo moralë për fushatën e tij. Kjo reflektohet dhe në rrjetin botëror të nëndheshëm që ai kishte krijuar me shefa të krimit, trafikantë antikash e madje grabitës varresh që pasuronin koleksionet e tij”.

Shumica e veprave antike të Steinhardt grabiteshin nga vende në kohëra lufte apo trazirash civile, tha prokurori.

Në një deklaratë milioneri tha se ishte “i kënaqur” që hetimet u mbyllën pa akuza kriminale.

Objektet e mbledhura do të rikthehen në vendet e origjinës.

Një bastisje e policisë në shtëpinë e financierit në Manhattan, New York, në 2018 solli gjetjen e thesareve si një sunduk me mbetje njerëzore të quajtur ‘larnax’, që datonte prej vitit 1300 p.e.s., të sjellë nga Kreta në Greqi.

Një tjetër enë ceremoniale ishte koka e një dashi që datonte prej vitit 400BC, e vlerësuar në shumen $3.5milionë.

Objekti kishte dalë në treg pas grabitjes në Milas, Turqi.

Prokurorët thanë se në hetimet e tyre prej vitit 2017, Steinhardt deklaronte: “Nëse shoh një objekt dhe nuk ka origjinë, nëse më pëlqen e blej”.

FOTO GALERI
7/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA