Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Fati i lojërave”, ku si rezultat ka rënë në pranga një person që ushtronte këtë veprimtari.

Ai arrestuari është një 39-vjeçar, i cili u konstatua duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit, nëpërmjet lotarive sportive, në ambientet e lokalit në pronësi të tij, në rrugën “Ferit Xhajko”.

“Në përfundim të veprimeve hetimore u arrestua në flagrancë shtetasi H. K., 39 vjeç, pasi u konstatua duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit, nëpërmjet lotarive sportive, në ambientet e lokalit në pronësi të tij, në rrugën “Ferit Xhajko”, të cilin e kishte vënë në dispozicion për ushtrimin e kësaj veprimtarie të paligjshme.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një aparaturë dekoder dhe një aparat celular që dyshohet se përdoreshin për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit, si dhe një shumë parash që dyshohet se është përfituar nga ky aktivitet i paligjshëm”, njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

Top Channel