Të maskuar e me kallashnikov në dorë hynë brenda lokalit në Lezhë, policia zbardh ngjarjen, detajet nga hetimet

06/12/2021 09:28

Policia e Lezhës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më datë 13 nentor 2021, në një lokal në fshatin Zejmen, ku hynë 3 persona të maskuar dhe të armatosur, duke sqaruar se ka identifikuar dhe shpallur në kërkim 3 autorët e dyshuar të ngjarjes.

U shpallën në kërkim shtetasit R. Rr., 28 vjeç, A. D., 31 vjeç, banues në Fushë Krujë dhe R. B., 29 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë.

Sipas policisë, autorët e ngjarjes rezultojnë me precedentë të mëparshëm kriminalë në fushën e krimeve ndaj personit, armëmbajtjes pa leje dhe narkotikëve.

Blutë njoftojnë se menjëherë pas ngjarjes tre autorët janë larguar jashtë vendit.

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se për shkak të një konflikti të ndodhur më parë ndërmjet kushëririt të pronarit të lokalit dhe një shtetasi që është mik i shtetasve R. Rr., A. D. dhe R. B., këta tre të fundit, më datë 13.11.2021, kanë shkuar të armatosur, në lokalin në pronësi të shtetasit A. K., dhe kanë kërkuar kushëririn e tij, shtetasin L. M.(K), (i cili më herët ishte konfliktuar me shtetasin Gj. J., mik i tre autorëve të dyshuar).

Shtetasi L. M.(K), në momentet e ngjarjes nuk ka qenë në ambientet e lokalit.

Policia u vu në lëvizje një javë pas ngjarjes, vetëm pasi pamjet u bënë virale në media e rrjete sociale, të cilat mund t’i shihni këtu:

Pas videos të publikuar, Policia bëri të mundur identifikimin e të gjithë shtetasve që ndodheshin në lokal, të cilët janë proceduar penalisht për veprën penale “Moskallëzim krimi”.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja” e mbetur në tentativë, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kanosja”, e mbetur në tentativë, të kryera në bashkëpunim.

Top Channel