Granit Kadolli, nga Prishtina, një “vlerë simbolike” të parave të tij e ka investuar para pesë vjetësh në kriptovaluta, apo, siç njihen ndryshe, para digjitale.
Deri më tani, ai nuk ka paguar ndonjë tatim mbi to, pasi, siç thotë, nga ky investim nuk ka gjeneruar fitime.
“Unë nuk e shoh këtë si përfitim, e shoh si investim për të ardhmen. Prej vitit 2016, qëkur kam investuar, e deri më tani, nuk kam nxjerrë asnjë përfitim. Në të ardhmen, kur do të vendos të nxjerr ndonjë sasi të mjeteve, do t’i deklaroj fitimet, rrjedhimisht do t’i paguaj obligimet tatimore”, thotë Kadolli për Radion Evropa e Lirë.
Në Kosovë, rreth 10 mijë operatorë të identifikuar – persona fizikë dhe juridikë – llogaritet se merren me këtë aktivitet, thotë Ferat Shala, kryetar i Komisionit për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti në Kuvendin e Kosovës.
Ai thotë se kjo shifër është e institucioneve përgjegjëse, por nuk sqaron se cilat. Shala shton se informacione për vlerën e qarkullimit nuk ka.
Kriptovaluta është para digjitale, e decentralizuar, e bazuar në teknologjinë “blockchain” Ekzistojnë mbi 5,000 kriptovaluta të ndryshme në botë, por më të popullarizuarat mbeten Bitcoin dhe Ethereum.
Personit i duhet një “portofol”, apo një aplikacion ‘online’, përmes të cilit transferon para reale për blerjen e kriptovalutave. Kriptovalutat mund të përdoren për të blerë mallra dhe shërbime të zakonshme, ndonëse shumë njerëz investojnë në to sikurse në pasuri të tjera, të tilla si aksionet apo metalet e çmueshme.
Investimet në kriptovaluta, sipas ekspertëve, janë spekulative dhe ato mund të rezultojnë me fitime ose humbje të mëdha.
Administrata Tatimore e Kosovës ka lëshuar më 3 dhjetor një komunikatë për media, duke iu bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që gjenerojnë të ardhura nga kriptovalutat, t’i deklarojnë ato dhe të paguajnë tatim për to.
ATK-ja ka thënë se “do të marrë masa ndaj personave që nuk i deklarojnë këto të ardhura”.
“Me fokus të veçantë, ATK-ja do të përqendrohet në identifikimin dhe trajtimin e personave, të cilët krijojnë të ardhura nga kriptovalutat”, ka thënë ATK-ja.
Në Kosovë nuk ekzistojnë institucione të formalizuara financiare që njohin dhe pranojnë kriptovaluta si mjet pagesash, thotë profesori Aliu.
Sipas tij, ky sektor është i rrezikshëm, pasi, siç thotë, nuk ekziston një autoritet qendror që menaxhon kriptovalutat, e as ligji që e rregullon çështjen e tyre.
“Nëse investohet në euro, është Banka Qendrore Evropiane. Nëse investohet në dollarë, është Banka Qendrore Amerikane. Nëse dëshiron të investosh në aksione të Tesla-s, është kompania mbrapa. Nëse investohet në obligacione shtetërore, është shteti me buxhetin e vet që i mbron. Te këto [kriptovalutat] nuk ekziston një mekanizëm që i mbron”, thotë Aliu.
Ferati: Kosova po krijon ligj për rregullat e përdorimit të kriptovalutave
Kosova tashmë është duke përgatitur një ligj, i cili do t’i përcaktojë rregullat e përdorimit të parave digjitale brenda territorit të saj. Përveç kategorizimit të kriptovalutave dhe të formave të tatimit, ligji synon të krijojë edhe një evidencë të saktë të personave që operojnë me kriptovaluta në Kosovë, thotë Ferati, nga Komisioni për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti në Kuvendin e Kosovës.
Ai nuk jep ndonjë afat kohor për miratimin e këtij ligji në Kuvendin e Kosovës. Shqipëria tashmë e ka rregulluar me bazë ligjore përdorimin e kriptovalutave.
Në muajin shtator të vitit të kaluar, ajo ka miratuar Ligjin për tregjet financiare, të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë.
Ligji e rregullon tregun e monedhave digjitale dhe virtuale, duke nisur nga licencimi i subjekteve që do të ushtrojnë një aktivitet të tillë deri te kushtet e tregtimit të kësaj monedhe./ REL
Top Channel