Policia rrugore në Elbasan, pas kontrolleve të shtuara ka evidentuar dhe ndëshkuar shkelësit e Kodit Rrugor!

Vetëm gjatë fundjavës që lamë pas janë arrestuar në flagrancë 7 shoferë, duke drejtuar mjetet në gjendje të dehur apo të papajisur me leje drejtimi.

Po ashtu, si rezultat e këtyre kontrolleve janë pezulluar 15 leje drejtimi dhe janë vendosur 1066 gjoba për mospërdorim të rripit të sigurimit, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Në njoftimin e plotë të policisë thuhet:

Policia Rrugore ka rritur prezencën e saj në të gjitha akset rrugore interurbane, urbane dhe rurale, për të evidentuar dhe ndëshkuar shkelësit e Kodit Rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Kontrollet janë përqendruar në shpejtësisë tej normave të lejuara, drejtimin e automjeteve nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, drejtimin e motoçikletave pa leje drejtimi dhe pa kaskë mbrojtëse, mospërdorimin e rripit të sigurimit, përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të mjetit, parakalimet e gabuara, mosrespektimin e përparësisë dhe të sinjalizimit rrugor, sjelljet jokorrekte në rrethrrotullime, si dhe në shkelje të tjera që janë burim aksidenti.

Gjatë kontrolleve, në fundjavë, janë arrestuar në kushtet e flagrancës 7 drejtues mjetesh, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë Rrugore, në vende të ndryshme, duke drejtuar mjetet, në gjendje të dehur. Njëri nga të arrestuarit ka qenë edhe i papajisur me leje drejtimi.

Po si rezultat i kontrolleve janë pezulluar 15 leje drejtimi. Gjithashtu janë vendosur 1066 masa administrative, nga këto:

• 42 për mospërdorim të rripit të sigurimit;
• 31 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit;
• 993 masa të tjera për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë në të gjitha akset rrugore të qarkut Elbasan, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Policia Rrugore e Elbasanit apelon për gjithë drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.

Top Channel