Miku i shqiptarëve, deputetët serbë nuk ngrihen në këmbë për Bob Dole

06/12/2021 19:05

Seanca e sotme parlamentare e Kuvendit të Kosovës nisi me një minutë heshtje në nderim të senatorit amerikane Bob Dole, i konsideruar një mik i madh i shqiptarëve.

Por duket pikërisht për këtë fakt, në kohën kur të gjithë ligjvënësit e tjerë u ngritën në këmvë, pjesëtarët e Listës Serbe qëndruan ulur.

Ishte kërkesë e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca që deputetët të nderonin ish-senatorin me një minutë heshtje. Dole, një hero i Luftës së Dytë Botërore, vdiq të dielën në moshën 98 vjeçare.

Me gjithë plagët e rënda nga Lufta, ai u bë një nga figurat më të njohura të politikës amerikane, udhëheqësi i Senatit, kandidat republikan për president dhe më pas simbol i brezit të veteranëve të Luftës së Dytë Botërore. Shqiptarët do ta kujtojnë si njeriun që u angazhua herët në politikën amerikane për Kosovën dhe luajti rol të rëndësishëm në procesin që çoi në krijimin e shtetit të pavarur.

Lidhjet e senatorit me shqiptarët kishin filluar në fund të viteve 1980, kur Kosova ishte nën shtypjen e Sllobodan Millosheviçit.

Në shtator 1998, pas kthimit nga një vizitë ne Kosovë, Dole i bëri thirrje administratës Clinton për veprime energjike e aktivistë shqiptaro-amerikanë thonë se pikërisht ai e bindi ish-Presidentin Bush të mbështeste pavarësinë e Kosovës.

Top Channel