Burgjet krijojnë terrene pjellore për përhapjen e viruseve, megjithatë administratat e tyre nuk i kanë bërë sa duhet publike rastet me Covid 19, vdekjet dhe vaksinimet në burgjet e Evropës.

Vangelis Stathopoulos është njëri prej më shumë se gjysmë milion të burgosurve në mesin e pandemisë Covid-19 në Evropë. “Kur ra Covidi dhjetorin e kaluar, këtu gati gjysma e të burgosurve u sëmurën njëkohësisht”, thotë Stathopoulos, i cili ndodhet në burgun e Larissa të Greqisë.

Burgjet janë një terren ideal për përhapjen e viruseve: të mbipopulluara dhe shpesh me kushte të mangëta higjienike. Megjithatë pak të dhëna janë bërë publike lidhur me përhapjen e koronavirusit në ambientet e burgjeve.

Së bashku me 12 redaksi të European Data Journalism Network, DW ka mbledhur të dhëna nga 29 vende, që dëshmojnë, se sa raste dhe sa vdekje janë raportuar nga burgjet, në ç`masë kanë përparuar vaksinimet dhe çfarë masash janë marrë për të frenuar përhapjen e virusit.

Filipa Alves da Costa, konsulente e shëndetit publik të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për programet e burgjeve, thotë se rreziku në burgje është i ngjashëm me rrezikun me të cilin konfrontohen njerëzit, që banojnë në residenca të tilla si shtëpitë e kujdesit dhe strehimore. Për shumë të burgosur ka faktorë të shumtë, që e shtojnë rrezikshmërinë e përballjes me një covid të rëndë, si sëmundjet e tilla si HIV, historitë e pirjes së duhanit apo përdorimit të drogave të tjera.

Shpërthimet e covidit në burgje prekin të gjithë

Epidemitë në burgje prekin jo vetëm personat, që janë të burgosur ose që punojnë atje, por edhe komunitetet përreth. Në Shtetet e Bashkuara, ku koronavirusi u përhap me shpejtësi në burgje në vitin 2020, një studim mbarëkombëtar bënte lidhjen e burgosjeve masive me shtimin e më shumë se një milion rasteve të Covidit brenda dhe jashtë burgjeve. „Pra, në qoftë se nuk mbroni burgjet, nuk mbroni komunitetin”, thotë da Costa.

Një studim i bërë në Barcelonë tregon se shumica e shteteve bënë një mbyllje të fortë dhe të shpejtë të burgjeve që në fillim të pandemisë. Vizitat në burgje u ndaluan menjëherë apo u kufizuan rreptësisht në pothuajse të gjitha vendet. Në shumë burgje u ndërprenë aktivitetet rekreative, sporti dhe puna. Lejet e pushimit nga burgu u ndërprenë gjithashtu. “Madje edhe letrat tona patën karantinë”, kujton Csaba Vass, që kryen dënimin me burg në Hungari.

Normat e infektimit në burgje ndjekin ato të popullatës në përgjithësi

Të dhënat e mbledhura për këtë studim tregojnë se masat kanë ndihmuar me sa duket në shmangien e më së keqes: Burgjet në përgjithësi nuk janë shndërruar në pika të nxehta Covidi. Atje ku nivelet e infeksionit ishin të larta tek e gjithë popullata, prireshin të ishin të larta edhe në burgje. Por në shumë vende rastet e raportuara nga burgjet janë nën nivelin e përgjithshëm të popullatës, edhe në vende si Hungaria me 96% dhe Franca me burgje tej mase të populluara.

Raste Covidi dhe vdekjesh mund të mos jenë raportuar

Edhe në vendet me një shkallë më të ulët infeksioni, burgjet mund të bëhen vende me rrezikshmëri për shpërthime serioze të pandemisë. “Sigurisht që ky është një problem, që vjen nga raportimi i mangët”, thotë Adriano Martufi, i cili hulumton kushtet e burgjeve të Evropës në Universitetin Leiden. Burgu i Larisës në Greqi, për shembull, kishte raportuar zyrtarisht vetëm 200 raste deri në korrik 2021. Stathopoulos thotë se ka numëruar shumë më tepër: “Vetëm nga dhjetori 2020 deri tani unë besoj se kemi pasur më shumë se 500 raste.”

Raportimi i mangët mund të mos jetë patjetër i qëllimshëm, ai mund të vijë edhe si rezultat i vështirësive organizative. “Shërbimet shëndetësore në burgje kanë mangësi në personel dhe në pajisje.”

Martufi thotë: “Nuk jam as i sigurt, nëse ata i kanë aftësitë teknike për të mbledhur dhe administruar të dhëna të tilla.” Numrat e pakët të rasteve kanë një çmim të lartë. Nëse shifrat e infeksionit merren në vlerë nominale, atëherë masat kufizuese të vendosura për të frenuar përhapjen e koronavirusit kanë shpesh efektet e veta anësore.

Rregullat e OKB-së për trajtimin standart minimal të të burgosurve parashikojnë që izolimi duhet të përdoret vetëm si mjeti i fundit, për një kohë sa më të shkurtër që të jetë e mundur dhe kurrë për më shumë se 15 ditë. Por gjatë pandemisë izolimi i të burgosurve është kthyer në një masë standarde në shumë vende.

Në disa ambiente burgimi në Gjermani, të paraburgosurit janë izoluar për 14 ditë pas çdo seance gjyqësore. Një burg në Maltë i mbante të sapoardhurit në një qeli me vetëm një dyshek në tokë dhe me një tualet të hapur në dysheme 23 orë në ditë për dy javë, në kushte që Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës i ka dënuar që në vitin 2013.

Dhe madje edhe personat, që nuk ishin nën karantinë, shpesh ishin të kufizuar në qelitë e tyre në një pjesë të madhe të ditës. Atyre u mbetej shumë pak në dispozicion për të bërë diçka për kalimin e kohës. Sidomos ndalimi i vizitorëve ishte shumë i vështirë për të burgosurit.

“Vizitat janë shumë të rëndesishme për të burgosurit”, thotë Catherine Heard, drejtore e World Prison Research Program: “është e vështirë të imagjinohet se cfarë ndryshimi ka, nëse u mundësoni të mbeten në kontakt me familjarët dhe të dashurit e tyre”. Të burgosurit kanë të drejtën e jetës familjare sipas Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Në tetor 2020 personat e burgosur në burgun e Recit në Shqipëri nisën një grevë urie, për të protestuar kundër ndalimit të vizitave pas shpalljes së pandemisë. Nga marsi ata mund t`i kontaktonin familjarët vetëm me telefonë.

Në Hungari thotë Vass: “Ne kishim dy here në muaj dy orë e gjysmë kontakt fizik para pandemisë. Kjo mungesë shkaktoi probleme shumë serioze mendore.”

Problemet strukturore e përkeqësuan situatën

Si në shumë sfera të tjera të jetës shoqërore situata është përkeqësuar nga problemet strukturore, të cilat kanë ekzistuar shumë kohë përpara pandemisë. Një ndër tre vende evropiane i mbush burgjet përtej kapaciteteve të lejuara zyrtarisht. Mungesa e hapësirës e bën të pamundur zbatimin e masave të distancimit dhe masat alternative nuk realizohen për shkak të mungesës së stafit, thotë Heard: “Nëse nuk ka staf për të lëvizur njerëzit përreth burgut, atëherë nuk ka zgjidhje tjetër, veçse t’i mbash të mbyllur në qelitë e tyre pjesën më të madhe të ditës dhe natës.”

Në shumë burgje individuale situata është shumë më e keqe nga sa parashikon mesatarja e vendit. “Unë jam në një qeli, ku është menduar të qendrojnë pesë persona, tani jemi tetë. Është e pamundur të mbash distancën”, i tha një person në grevë urie një agjencie kroate të lajmeve në fillim të pandemisë në mars 2020. “Ne praktikisht ndihemi si të dënuar me vdekje, duke pritur koronavirusin që të shpërthejë në burg.”

Gjatë valës së parë shumë vende në të gjithë Evropën liruan të burgosur në një shifër të paprecedentë, me qëllim që të lehtësonin presionin mbi burgjet. Heard thotë, se është jetike që vendet tani të ruajnë këtë trend. Në shumë burgje, situata është shumë më e keqe nga sa sugjeron mesatarja e vendit.

Numri i të burgosurve po rritet përsëri

Por shumë vende duket se po e përmbysin progresin e bërë që nga pranvera e vitit 2020. Pas rënies fillestare  të numrit të të burgosurve, ai po rritet përsëri në rreth gjysmën e vendeve evropiane të analizuara në studim— në disa raste ai po tejkalon nivelet e zakonshme.

Me këto probleme strukturore, që e përkeqësojnë situatën, e cila është tashmë e komplikuar, një “kthim te normalja” në burgje varet nga e njëjta gjë, që vlen për pjesën tjetër të shoqërisë: nga vaksinimi.

Vaksinimet në burgje të vonuara

“Kur u njoftua se do të kishte vaksinë, njerëzit u qetësuan shumë”, thotë Vass. “Me sa di unë, thuajse të gjithë të burgosurit këtu e kanë bërë vakisnën.” Por jo secili e ka marrë atë. Megjithë rrezikun e lartë për të burgosurit, për personelin dhe popullsinë, shumica e vendeve evropiane nuk i kanë futur të burgosurit në grupet me prioritet në planet e tyre të vaksinimit. Shumë prej tyre as që i kanë përmendur fare.

“Ka pasur vërejtje të vazhdueshme nga organizatat e pavarura mbinacionale, që të burgosurit duhet të kenë prioritet”, thotë Martufi. “Është një shembull i mirë i mospërputhjes absolute mes sugjerimeve politike nga njëra anë dhe realitetit në terren.”

Kjo ka bërë që fillimi i vaksinimit në burgje të vonohej ndjeshëm. Disa vende nuk kishin bërë asnjë vaksinë në burgje deri në qershor 2021, ndërsa të tjerat informojnë për vaksinime duke filluar nga fundi i marsit.

Mësime për të ardhmen

Me ardhjen e valës tjetër në shumicën e vendeve evropiane pandemia nuk është kapërcyer për askënd, dhe sigurisht as për njerëzit në burgje.

Ekspertët thonë, se vendet duhet të reduktojnë në mënyrë drastike popullimin e burgjeve, në mënyrë që të pergatiten më mire për situata të tilla në të ardhmen. “Covidi duhet të ketë qenë një thirrje zgjimi për të investuar për kushte më të mira në burgje dhe për të reduktuar burgimet”, thotë Heard.

Që kjo thirrje zgjimi të dëgjohet, janë vendimtarë interesi publik dhe ai politik. “Është koha, që të rimendojmë perceptimin tone për të burgosurit si qytetarë të klasit të dytë, thotë Martufi. Ne nuk mund të lejojmë që të lëmë dikë pas. Do të jetë më keq për të gjithë.”/ DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA