Sapo kishte dalë nga burgu në Itali/ Si e pësoi “i forti” nga Elbasani, i dënuar në Shqipëri për plagosje

04/12/2021 12:07

Një 31-vjeçar, i cili sapo kishte përfunduar dënimin me burg në Itali, për lëndë narkotike, është arrestuar nga policia shqiptare në Rinas, pasi rezultonte i dënuar 4 vite burg edhe në vendin tonë.

Burimet policore thanë se në pranga ra shtetasi në kërkim, Denis Meçja, 30 vjeç, banues në Elbasan.

“Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, në vitin 2017, e ka dënuar me 4 vite burgim për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim.

Ky shtetas më datë 24.05.2016 në një lokal, ka goditur me grushta e sende të forta, shtetasin B. K., me banim Elbasan, duke i shkaktuar plagë të rënda.

Shtetasi Denis Meçja prej vitit 2017 deri në nëntor 2021 ishte në burg në Itali për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve”, njofton Policia.

Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Top Channel