“Po ta kisha bërë vaksinën nuk do kisha përfunduar në këtë situatë”, Ministria e Shëndetësisë nxjerr rrëfimet e shtatzënave

04/12/2021 10:19

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka publikuar sot dëshminë e një nëne të re nga spitali Infektiv të pavaksinuar dhe të dy grave shtatzëna që janë vaksinuar.

“Rekomandimi i të gjithë ekspertëve është VAKSINIM VAKSINIM VAKSINIM!

Dëgjoni dëshminë e një nëne të re nga spitali infektiv që ka vuajtur pasojat e sëmundjes dhe dy nënave që kanë zgjedhur të mbrohen nga virusi i rrezikshëm, duke u vaksinuar. #VAKSINOHU #JetaJoteVLEN ❤️”, apelon Ministria e Shëndetësisë.

Nëna e re rrëfen se kishte rrezikuar jetën e saj dhe të fëmijës dhe nëse do e kishte bërë vaksinën nuk do kishte përfunduar në këtë situatë.

“Gjendja ime filloi të përkeqësohet. Kur erdha këtu fëmija im ishte në rrezik dhe unë isha në rrezik. Besoj se ndoshta po ta kisha bërë dhe unë, do isha në gjendje më të mirë, do ta kisha kaluar më lehtë dhe unë nuk do kisha përfunduar në këtë situatë që jam tani”, thotë ajo.

“Një grua shtatzënë ka mjaft halle, mjaft shqetësime. COVID-i nuk duhet të jetë një nga këto shqetësime përderisa kemi vaksinën në dorë. Kjo është doza e tretë sepse mendoj që kjo është faza më e mirë për dozën e tretë. Dy dozat e tjera i kam bërë para shtatzënisë, kështu që ka kaluar kohë”, rrëfen një shtatzënë.

 

Top Channel