Ligji që zbulon kompanitë offshore! Kërkohet krijimi i regjistrit për pronarët përfitues

04/12/2021 20:00

Shmangia e afateve nga bizneset për të mos regjistruar pronarët përfitues brenda marsit të këtij viti ka detyruar qeverinë që të rishikojë ligjin e miratuar në vitin 2020.

Ligji për “Regjistrin e Pronarëve Përfitues”  synonte ngritjen e një regjistri që do të zbardhte emrat e pronarëve përfitues të kompanive të regjistruara në parajsat fiskale ose e njohur ndryshe offshore me aktivitet në Shqipëri që zotërojnë të paktën 25% të aksioneve.

Sipas relacionit të draftit të hedhur për konsultim publik nga Financat nga  mbi 64 mijë mijë subjekte si dhe Organizata Jofitimprurëse  që kishin detyrimin për të bërë regjistrimin e pronarëve përfitues, vetëm 23. 4 mijë i kanë regjistruar të dhënat e tyre.

Nisur nga kjo por edhe nga rekomandimet që Moneyval ka bërë për parandalimin e pastrimit të parave në vend qeveria ka ndërmarrë një sërë ndryshimesh ligjore për ‘Regjistrin e Pronarëve Përfitues’, i cili menaxhohet nga Qenda Kombëtare e Biznesit. Ndërhyrjet parashikojnë popullimin automatik të regjistrit të pronarëve përfitues nga Qendra Kombëtare e Biznesit për bizneset raportuese që kanë pronësi direkte.

Ndër të tjera shtyhet afati deri më 1 prill 2022 për raportimin fillestar të pronarëve përfitues nga subjektet raportuese ekzistuese me pronësi direkte të regjistruara si dhe nga Organizatat Jofitimprurëse.

Shtyrje afati bëhet edhe për raportimin fillestar të pronarëve përfitues nga bizneset raportuese të regjistruara rishtas nga 30 ditë që është aktualisht në brenda 40 ditë kalendarike nga data e regjistrimit.

Gjobat e vendosura nga QKB-ja para hyrjes në fuqi të këtij projektligji do të falen me kusht që subjektet të kryejnë raportimin e pronarit përfitues brenda prillit të vitit të ardhshëm, ndërsa masat e gjobave do të përshkallëzohen mbi bazën e vonesës në përmbushjen e detyrimit të raportimit fillestar të pronarëve përfitues që regjistrohen rishtazi.

 

 

Top Channel