Fëmijët tanë s`do vriten më: Gjashtë emigrantë, 30 mijë euro që të gjendet vrasësi i Deçanit

02/12/2021 12:14
Tre të vdekurit nga sulmi me armë në Deçan

Ngjarja tragjike e 26 nëntorit në Deçan, ku tre persona humbën jetën përfshirë dy nxënës dhe shoferin e autobusit pasi drejt mjetit u qëllua me breshëri kallashnikovi, ka mbetur ende pa autor.

Ndonëse mediat flasin për disa pista, përfshirë atë të konkurrencës, Policia dhe Prokuroria ende nuk kanë arritur që të zbulojnë se kush e kreu sulmin e trefishtë, e nuk kanë as ndonjë të dyshuar.

Qeveria e Kosovës ka ofruar 20 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacione rreth këtij krimi, por për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, edhe 6 emigrantë kanë ofruar 30 mijë euro të tjera, të mbledhura prej tyre.

Mes tyre, është edhe ish zyrtari i lartë i UÇK-së, Naim Miftari, i cili tani jeton në perëndim. Miftari tha se bashkë më shokët e tij kanë mbledhur nga 5 mijë euro secili për informacione që do të bëjnë të hidhet dritë mbi krimin masakër të Gllogjanit.

Ne nuk jemi milionerë, e as nuk kemi para si pushtetet e kaluara. Edhe pse shpesh përbuzemi ne që jetojmë në mërgim me emra neveritës, jemi zotuar të japim këtë shumë. Ne jemi gjashtë veta, punëtorë në fabrikë dhe do t’i dhurojmë nga 5 mijë euro secili”, është shprehur ai, duke shtuar se “fëmijët tanë, nxënësit, djemtë dhe vajzat tona nuk do t`i vrasë më askush pa marrë dënimin e merituar”.

Top Channel