Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha, bërë nga foltorja, në qytetin e Bajram Currit.
Gjatë fjalës së tij atje, Berisha u shpreh se Basha bashkë me një grup zyrtarësh prej dy ditësh po përpiqet që të mbledhë firma duke ofruar poste drejtorësh dhe zëvendësministrash në kabinetin e Ramës.
Në lidhje me këtë akuzë Basha i ka konsideruar këto deklarata të rreme. Ai thekson se demokratët do t’i bashkohen Kuvendit të 18 dhjetorit, ndërsa shton se asnjë trillim dhe mashtrim nuk i’a zgjidh hallin Sali Berishës.
“Sali Berisha e di që demokratët po konfirmojnë pjesëmarrjen në Kuvend dhe përhap lajme të rreme, duke dashur t’i poshtërojë ata. Demokratët do të vijnë në Kuvend më 18 Dhjetor sepse duan bashkimin jo përçarjen, duan fitoren, jo izolimin e PD. Asnjë trillim dhe mashtrim nuk i’a zgjidh hallin Sali Berishës, sepse beteja e tij është për interesa personale, jo për demokratët”, shprehet Basha.
Top Channel