Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja të mërkurën deklaroi se njësia Anti-korrupsion ka nisur verifikimin për lejet e ndërtimit që jepen nga bashkitë, duke theksuar se janë konstatuar abuzime me rinovimin e lejeve zhvillimore, kryesisht në zonat bregdetare.
Në një konferencë për mediat, ministri Manja u bëri sot apel bashkive që të mos zgjasin afatin e lejeve të ndërtimit, të cilat janë dhënë shumë kohë më parë dhe që s’kanë përfunduar brenda afateve të caktuara.
“Bashkitë të mos zgjasin afatet e lejeve të ndërtimit, të dhëna shumë kohë më parë që nuk janë zhvilluar brenda afateve”, u shpreh ai.
Manja tha se problematike janë vendimmarrjet e gjykatave administrative që kanë marrë kompetenca ekskluzive të kryetarëve të bashkive apo të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), duke rivendosur në afat leje ndërtimi që janë dhënë që në 2005 dhe që nuk janë zhvilluar.
Ai theksoi se Inspektori i Lartë i Drejtësisë është i angazhuar për konstatimin e shkeljes së ligjit në lidhje me planifikimin e territorit si edhe për hetimin e personave përgjegjës.
“Nëse do të konstatojmë shkelje të ligjit për planifikimin territorit, nuk do të hezitojmë të hetojmë penalisht personat përgjegjës”, u shpreh ministri.
Top Channel