Në kuadër të 16 ditëve ndërkombëtare të Eliminimet të Dhunës ndaj Grave, institucionet raportojnë për rreth 4000 raste të dhunës në familje që janë denoncuar në polici, gjatë 10 muajve, pra pa u mbyllur ky vit.
Janë 16 ditë ndërkombëtare kundër dhunës ndaj gruas, që nisën në 25 nëntor dhe mbyllen në 10 dhjetor, që është Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut.
Mirela Arqimandrit, Eksperte për Barazinë Gjinore: Që nga viti 2016 ka një numër të përafërt denoncimesh të dhunës në familje në një vit, që varion nga 3500-4000. Këtë vit, sigurisht që pandemia e ka bërë të vetën. Humbja e punës, mundësitë ekonomike në zvogëlim, karantina, nxorën në pah problematikat, që lidhen me dhunën brenda familjes.
Vetëm këtë vit dhuna në familje ka shkaktuar 17 viktima, 12 nga të cilat femra.
Raste si ai i Liljanës në Elbasan, që u vra para gjykatës dhe ai i Sabinës në Fier, që u ekzekutua nga ish bashkëshorti në shtëpinë e prindërve, mund të ishin parandaluar, nëse struktura si policia, do të ushtronin kontrolle të befta, në banesat e personave që dihet që përbëjnë rrezik, apo kanë dhënë indicie.
Kjo për t’i frenuar ata që ta çojnë deri në fund planin e tyre, për marrjen e jetës së tjetrit.
Me ndryshimet e reja në ligj, një grua që bën një denoncim, nuk mund ta tërheqë më pas. Kjo duke patur parasysh presionin që ushtrohej nga shumë faktorë kundrejt një gruaje, qoftë edhe nga familja e saj.
Nëse një grua do që të denoncojë dhunën ne familje, të shkojë në polici, për të marrë urdhër mbrojtje, ose urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje. Ose të marrë policinë në telefon në 129, apo numrin kombëtar 116 117.
Top Channel