Ish-kryeministri Sali Berisha zbuloi sot nga Tropoja se dy orë pas shpalljes “non grata” nga DASH i dërgoi letër Sekretarit amerikan të Shtetit, Blinken, ku shkruante se kjo ishte vepër e lobimit korruptiv të Sorosit dhe Ramës.
Ish kreu historik i PD-së u shpreh se ndonëse kishte miq në dy partitë e mëdha në SHBA ai zgjodhi të mos kërkonte ndihmë, por nisi një betejë ligjore për dinjitetin e tij.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Në mënyrë të papritur sekretari i shtetit njoftoi në twitter se më kishte shpallur non grata, pas dy orësh i bëra letër, ku i them se kjo është një vepër e lobimit korruptiv të Xhorxh Soros dhe Edi Ramës. Cilën rrugë do të ndiqja? Kisha miq të shumë, më shumë se kushdo tjetër, në të dy partitë, të kërkoja ndihmën për të hequr atë vendim, Jo thash nuk do e bëj, nuk do i kërkoj askujt ndihmë për një gjë për të cilën kurrë nuk ka njeri që mund të gjejë fakt, dokument, apo prova. Atëherë më cenojë dinjitetin tim, po! Do ta çoj në gjykata shkëlqesinë e tij për shpifje. Kjo ma thjeshtoi gjithë skemën, ishte një betejë për dinjitetin.
Meqë unë, ky hap dhe masë përjashtonte mundësinë për ndihma dhe vendosa të bëj transparencë, kam takuar me mijëra politikanë deputetë zyrtarë, të gjitha llojeve. Kam bashkëpunuar me ta në të gjitha fushat dhe ju çova një note shpjeguese se pse është marrë kjo masë ndaj meje. Ishte rasti i vetëm në botë, që një njeri 8 vite pasi kishte dhënë dorëheqje dhe s’ishte dënuar kurrë për korrupsion, apo procese gjykata, as fëmijët e mi. Një njeri që ndëshkohet 2 javë pasi partia humb zgjedhjet. Ai ishte një nga 2 njerëzit më të fuqishëm në botë por unë isha një nga njerëzit më dinjitozë dhe do e ruaj. Gjatë karrierës time politike kisha bërë gjithçka për një miqësi me SHBA. Kisha krijuar marrëdhënie të ngushta dhe jam krenar. Nuk mund të pajtohesha me veprimet e tij ndaj demokracisë shqiptare.
Top Channel