Prej tri ditësh edhe qarku i Gjirokastrës është përfshirë nga reshje të dendura shiu dhe stuhi ere.
Intensiteti ka qenë i lartë dhe ka arritur të nxjerrë nga shtrati në disa segmente lumenjtë Drino dhe Vjosa ndërsa edhe përrenjtë malorë kanë sjellë aluvione në disa akse dytësore. Përroi i Lazaratit përmbyti për rreth 1 orë aksin nacional drejt Kakavijës por tani situata është nën kontroll.
Probleme kanë pasur edhe rrugët dytësore që çojnë drejt disa zonave të thella në Tepelenë, Përmet , Malësinë e Golemit.
Aksi drejt fshatit Golem u bllokua fillimisht nga prurjet e ngurta ndërsa sot në mëngjes të gjitha zonat mbi 1000 m u bllokuan nga bora.
Aktualisht është duke u zhbllokuar Qafa e Çajupit ku gjatë natës ka pasur rreth 10 cm reshje dëbore. Në atë zonë ende ka disa kope me bagëti që presin përmirësimin e motit për të shtegtuar.
Zhbllokimi i disa kanaleve kryesore vaditës dhe kullues përgjatë verës ka parandaluar përmbytjen e tokës bujqësore.
Pritet që prej ditës të nesërme të kemi një përmirësim të përkohshëm të motit por edhe rënie të temperaturave me 4-5 gradë.
Top Channel