Fiks Fare denoncoi falsifikimin e dëftesave të një shkolle në rrethin e Fierit, ku disa ish-nxënës nuk figurojnë në regjistrat dhe numrat e amzës.
Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua Ardiana Plaku, 50 vjeçe, e cila jeton aktualisht në Greqi. Ajo thotë se ka përfunduar shkollën 8-vjeçare (aktualisht 9-vjeçare) në fshatin Hamil të Fierit, por në numrin e amzës së saj del një person tjetër. Thotë se ka ndjekur shkollën “Trifon Prifti”, në vitet 1978-1986, por tashmë shkolla i thotë se nuk e ka përfunduar ciklin 8 vjeçar, por dikush tjetër.
“Unë banoj në Greqi dhe këtu kam përfunduar shkollën e gatimit. Dhe më duhet një vërtetim me nota që kam mbaruar shkollën 8-vjeçare. Kam bërë autorizim te vëllai im dhe ka shkuar te drejtoresha që është tani. Ka kërkuar një vërtetim që unë kam mbaruar shkollën 8-vjeçare. Dhe ajo i ka thënë do ta jap. Pastaj i tha këtu është bërë një shkelje. Në emrin tim figuron një person tjetër. Në regjistrin qendror, kur mbaron 8-vjeçarja, ato kalojnë më duket në një regjistër qendror që kemi mbaruar shkollën 8-vjeçare me nota. Numri i amzës është i gjithi që figuron emri im nga klasa e parë dhe nuk e di deri në ç’vit që ajo nuk na e tha” thotë Ardiana.
Më tej shton se ka disa muaj që ajo dhe familjarët e saj shkojnë pranë kësaj shkolle, por s’kanë marrë zgjidhje. Nga ana tjetër, vëllai i saj Fredi Plaku thotë se ka që në muajin qershor që sorollatet lartë e poshtë po s’i kanë dhënë zgjidhje. Ka takuar disa herë drejtoreshën e shkollës, e cila i ka treguar këtë problem. Madje, drejtoresha i ka thënë se është në dijeni të këtij problemi dhe se ka bërë edhe një kallëzim penal.
Pas kësaj ankese, gazetarët shkojnë në shkollën “Trifon Prifti”, aktualisht 9 – vjeçare, në fshatin Hamil të Njësisë Administrative Dërmenas Fier. Por, drejtoresha e shkollës nuk pranon që të japë shpjegime. Drejtoresha pohon se këto informacione i ka Drejtoria Arsimore e Fier. Por, edhe kjo e fundit nuk kishte informacione. Fiks Fare pyeti në Zyrën Arsimore të Fierit për problemin e Ardianës, ndërsa mori një përgjigje se “amzat janë dokumente shkollore që krijohen, plotësohen, dhe shërbehen nga institucionet arsimore dhe janë detyrë e sekretarit të institucionit arsimor”.
Në përgjigjen me shkrim, ZVA Fier thotë se drejtoria e shkollës i është drejtuar me nje kallëzim penal Prokurorisë Fier me dyshimin se disa dokumente shkollore, nr e amzës, janë të falsifikuar. “Në këto kushte, drejtoria e shkollës ka pezulluar dhënien e dokumenteve shkollore që u përkasin këtyre amzave ku rezulton të jetë e regjistruar edhe Ardiana Plaku” vijon Zyra Arsimore. Shkolla e pranon se ka pasur falsifikime, për të cilat ka bërë edhe një kallëzim penal. Ndërkohë, në fund të përgjigjes, Zyra Arsimore thotë se qytetarja mund të bëjë kërkesë dhe do të pajiset sa më shpejtë me vërtetimin shkollor.
Pas interesimit të “Fiks Fare”, qytetarja mori dëftesën e shkollës. “Dërgova vëllanë se vetë nuk jam në Shqipëri dhe ajo i tha se është bërë një shkelje. Ka lajmëruar prokurorinë dhe do ta zgjidh këtë çështje tha ajo dhe pas 1 jave do t’ju kthej përgjigje. Vajti vëllai, me fotografitë e mia, me prokurën që i kisha bërë, dhe e mori dëftesën pa asnjë problem. Dhe pa ndihmën tuaj s’do kisha bërë gjë. Ndihma juaj ishte shumë, shumë, shumë e vlefshme dhe shumë e madhe. Ju falenderoj! Falenderoj shumë Fiks Fare që më ndihmuan dhe mora deftesën time dhe jam ktu ku jam” përfundon Ardiana.
Top Channel