Varianti i ri i koronavirusit, Omicron, potencialisht më ngjitës krahasuar me Covid 19-n, u shfaq edhe në vende të tjera të dielën, vetëm disa ditë pas identifikimit të tij në Afrikën e Jugut.

Qeveritë në mbarë botën po marrin masa për të ndalur përhapjen e mundshme të tij. Holanda konfirmoi të dielën 13 raste të variantit të ri të koronavirusit, Omicron, dhe Australia dy.

Izraeli vendosi të dielën të ndalojë hyrjen për shtetasit e huaj, masa më të ashpër e ndërmarrë nga një vend deri tani.

Pas identifikimit të dy rasteve me “Omicron”, Britania e Madhe shtrëngoi rregullat e saj të shtunën lidhur me vendosjen e maskave dhe testimin e udhëtarëve ndërkombëtarë.

Raste të reja u konfirmuan të shtunën në Gjermani dhe Itali. Belgjika, Izraeli dhe Hong Kong-u gjithashtu njoftuan se varianti i ri i koronavirusit është gjetur tek disa udhëtarë ndërkombëtarë.

Von der Leyen: BE në garë me kohën lidhur variantin “Omicron”

Bashkimi Evropian po përpiqet të fitojë kohë për të vlerësuar plotësisht ndërlikimet që paraqet varianti i ri i koronavirusit, Omicron, me synimin për t’u përgatitur, veçanërisht duke nxitur norma më të larta vaksinimi, tha të dielën presidentja e Komisionit Evropian.

I zbuluar fillimisht në Afrikën e Jugut, varianti tani është zbuluar në vendet e BE-së, në Belgjikë, Danimarkë, Gjermani, Itali dhe Holandë, si dhe Australi, Botsvana, Britani, Hong Kong e Izrael.

Gjatë një vizite në Letoni, Ursula Von der Leyen, tha se BE-ja e ka marrë seriozisht këtë çështje.

Ne e dimë që jemi në një garë me kohën… Dhe shkencëtarëve u duhen dy deri në tre javë për të pasur një pamje të plotë rreth mutacioneve të këtij varianti” tha ajo në një konferencë shtypi.

Për shkak të frikës se varianti i ri ka potencialin të jetë më rezistent ndaj mbrojtjes që ofrojnë vaksinat, ka shqetësime në rritje në mbarë botën se pandemia dhe kufizimet e lidhura me bllokimin do të vazhdojnë edhe më gjatë nga sa pritej.

Ndërsa shënohen rreth dy vjet që nga fillimi i pandemisë që ka marrë më shumë se 5 milionë jetë njerëzish në mbarë botën, vendet janë në gatishmëri të lartë. Shumë prej tyre kanë vendosur tashmë masa kufizuese për fluturimet nga Afrika Jugore, në një përpjekje për të siguruar kohë për të shqyrtuar nëse varianti Omicron është më i transmetueshëm sesa varianti aktual dominues, ai Delta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA