“Maturës do i vemë emrin tuaj”/ Shokët përcjellin mes lotësh dy nxënësit që u vranë gjatë sulmit në autobusin e shkollës

28/11/2021 16:56

Qindra qytetarë kanë përcjell këtë të diel nxënësit Genta Mustafaj dhe Ledion Hamzaj, që u vranë të premten teksa udhëtonin me autobusin e shkollës në Kosovë.

Dy ditë pas sulmit të një autobusi të linjës Gjakovë-Deçan, ende nuk dihet se kush shkaktoi vrasjen e trefishtë. Në varrim kanë marrë pjesë edhe Ramush Haradinaj, ministrat Xhelal Sveçla, Armend Mehaj, Donika Gërvalla. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se të dy nxënësve iu këput jeta në lule të rinisë, duke shtuar se edhe në ditën e dytë nuk kanë arritur të kapin autorët.

Askush nuk e ka imagjinuar që për ditën e Flamurit do të vijmë për zi në Gllogjan. Kemi pikëllim por dhe zemërim e indinjatë për këtë vrasje të trefishtë, për këtë akt kriminal e mizor. Policia e Kosovës na ka siguruar që po bëjmë gjithçka që është e mundur që sa më parë të kapin vrasësin dhe vrasësit dhe ta mundësojmë drejtësinë dhe ndëshkimin për ta“, u shpreh Kurti.

Kryeministri shtoi se janë tri pista të hetimeve dhe se ai gjatë ditës do të vizitojë edhe stacionin policor në Deçan për t’u informuar rreth këtij rasti. Pas varrimit ka njoftuar se kushdo që jep informacione për personin vrau tre persona, do të shpërblehet me 20 mijë euro:

Ne si qeveri, unë si kryeministër, kemi ofruar edhe një shpërblim prej 20 mijë eurove që kushdo që ka një informacion që na shpie te zbardhja apo zbulimi i këtij rasti. I ftojmë të gjithë qytetarët që kanë çfarë do të dhëne që të telefonojnë në numrat e telefonit 0800 1 999 ose 192 dhe me këtë rast në mënyrë strikte ruhet konfidencialiteti i qytetarëve”.

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj u ka shprehur ngushëllime familjes Mustafaj dhe Hamzaj, duke i lutur të gjithë të ndihmojnë në zbardhjen e këtij rasti.

Nuk ka rast me të rëndë se sa të kthehet fëmija nga shkolla në arkivol. Po uroj që kurrë më populli jonë mos të ketë të tilla raste e mos të përsëriten më, po askund në botë mos dëgjofshim për raste kaq makabre kur fëmijët i pret tek shtëpia që po kthehen prej shkolle dhe me t’u kthy në arkivole, kjo është shumë e rëndë. Apeloj te institucionet e vendit duke apeluar për punën që kanë bërë këto ditë, duke e kryer detyrën e tyre zyrtarë që u takon, mos të ndalen deri sa të zbardhet ky rast. Lus ata që kanë ndonjë informacion të tillë të bashkëpunojnë e organet relevante të këtij shteti”, ka thënë Ramosaj.

Shoqja e dy nxënësve mes lotëve ka shprehur dhimbjen për bashkëmoshatarët e saj, të cilët u vranë duke u kthyer nga shkolla.

Pse Gentë nxitove aq shumë atë natë të hypje në autobus. A e thirre nënën Gentë atë natë ta gjeje darkën në tryezë ta gjeje atë natë, siç e bëre atë natë. Ledion a i tregove Gentës çfarë do të dëshiroje për darkë atë natë, apo e dije edhe ti? O Zot çfarë emri ka kjo vdekje, o Zot çfarë arsyeje ka ky trishtim. O Zot për çfarë na ndave ne. Ledion, Gentë së paku të na tregoje si ta përballonim dhembjen ku ju nuk jeni. Nuk mund të ju them pushoni pasi që nuk ma thotë as goja. Nuk do të ju harrojë kurrë. Do të jeni përgjithmonë ne zemrat tona e në shpirtin tonë. Mallkuar qoftë ajo dorë që ju ndau  nga ne. Maturës do ju lëm emrin tuaj. Gllogjan je msu me vra trima, por jo edhe fëmijë“, tha ajo.

Ngjarja që tronditi vendin u shënua të premten në fshatin Gllogjan të Deçanit, ku autobusi u sulmua me armë automatike, duke lënë të vdekur dy nxënës dhe shoferin.

Top Channel