Kryeministri britanik Boris Johnson ka dalë këtë mbrëmje në një konferencë të rrallë shtypi për koronavirusin, çka demostron rrezikshmërinë dhe shqetësimin e autoriteteve britanike për shtamën e re të ardhur nga Afrika, e cila është quajtur Omicron.
Ai tha se program i vaksinimit në Britani ka funksionuar, por të mërkurën tha se lajmi i shtamës së re Omicron, sipas shkencëtarëve britanik prek edhe ata që janë vaksinuar me dy doza.
Johnson tha se nuk do të ndalohen udhëtimet por ndryshe nga tani, do kërkohet që çdo person që hyn në Britani të bëjë ditën e dytë tamponin PCR. Ndërkohë rregullat për mbajtjen e maskave në dyqane dhe transportin publik do të shtrëngohen.
“Ne ende nuk e dimë sa efektive janë vaksinat ndaj shtamës së re”, tha kryeministri britanik duke shtuar se “ekziston frika e Omicron ka potencialin të jetë më rezistent ndaj vaksinave. Masat do rishikohen pas 3 javësh.”
Pas rasteve të zbuluara në Evropë, si në Belgjikë dhe gjetkë, gjatë ditës së djeshme në Britani, sic edhe pritej janë identifikuar dy raste të shtamës së re të cilësuar “monstruoze”, e cila është quajtur Omicron nga OBSH-ja për të shmangur emërtimin e saj Nu ose Xi, cka kjo e fundit do të ishte e njëjtë me emrin e presidentit kinez Xi Jinping.
Kjo shtamë konsiderohet një variant shqetësues dhe dy rastet janë zbuluar në juglindje të Anglisë dhe në zonën e Notingamit. Sakaq, Britania ka rritur numrin e vendeve nga kontinenti afrikan që duhet të futen në zonën e kuqe dhe pasagjerët e tyre duhen karantinuar nëpër hotele si dikur me cmime shumë të kripura. Të dy personat dhe familjet e tyre janë izoluar.
Britani e Madhe ndodhet në një pozicion paksa më të privilegjuar se shumë vende evropiane për shkak të shkallës jashtëzakonisht të lartë të vaksinimit të popullsisë, por kjo nuk ofron mbrojtje tërësore dhe shkencëtarët britanik janë duke e studiuar dhe mësuar më shumë për këtë shtamë të re, e cila vjen në momentin më të papërshtatshëm, pikërisht në stinën e dimrit.
Top Channel