Kryeministri Edi Rama ka folur për marrëveshjet e nënshkruara në mbledhjen ndërqeveritare që u mbajt në Elbasan. Në konferencën për mediat, Rama tha se më në fund do të marrë fund radha për të kaluar doganën ndërsa objektivi i marrëveshjeve është eliminimi i procedurave të dyfishta.
Edi Rama: Për të filluar menjëherë nga puna për studimin e fizibilitetit të hekurudhës. Të dy qeveritë kanë investuar në buxhetin e vitit 2022 një fond dhe kanë dakordësuar për ngritjen e ekipit të përbashkët të punës. Po ashtu , dua të nënvizoj marrëveshjen që çon në një nivel të ri bashkëpunimin doganor, një kërkesë legjitime e kahershme, e kohës, e eksportuesve dhe importuesve në të dy anët e kufirit, të cilët do të jenë përfituesit e drejtpërdrejtë, por edhe ekonomitë e vendeve tona do të kenë përfitimin e tyre.
Nënvizoj se eliminimi i të gjitha procedurave të dyfishta është objektivi ynë në të gjithë sektorët dhe faktikisht në rastin konkret, krijimi i manualit të ri të përbashkët në doganën e Durrësit është kyçi për atë që thashë, ngritjen në një nivel tjetër të lëvizjes së lirë në raport me procedurat doganore. E treta, dua të nënvizoj dhe besoj se është lajm i mirë. Tanimë është dakordësuar krijimi i një regjimi të ri doganor në kufi duke pasur parasysh që të mos krijohen radhë të pafundme kontrollesh.
Top Channel