Lajçak: Takimet Kosovë-Serbi për dialogun duhet të prodhojnë rezultate pozitive

26/11/2021 01:21

Emisari special i BE-së Miroslav Lajçak ka takuar sonte kryeministrin Albin Kurti me të cilin ka biseduar mbi vazhdimin e dialogut në Bruksel, por nuk dha ndonjë datë konkrete se kur mund të ndodhë takimi i radhës, duke thënë se ai dëshiron që takimet Kosovë-Serbi të japin rezultate.

Diplomati sllovak në një prononcim për media tha se është duke vazhduar përgatitja e takimit në mes të Kurtit dhe Vuçiqit, por se dëshiron rezultat nga ky takim.

“Kjo është edhe arsyeja pse jam këtu. Nuk ka të bëjë vetëm me takimet, por edhe rezultatet. Këtë javë unë kam takuar dy herë kryeministrin Kurti dhe kam biseduar me presidentin Vuçiq, por nuk kishte rezultate pozitive të këtyre takimeve. Ambiciet tona janë të ndryshme në këtë moment dhe nuk ka të bëjë vetëm me organizimin e takimit, por edhe me një marrëveshje dhe kjo është arsyeja që ne po punojmë në këtë drejtim”, u shpreh Lajçak.

I pyetur se çfarë pret nga takimet e radhës Kurti-Vuçiq, diplomati sllovak tha se nuk dëshiron të spekulojë. “Dialogu do të vazhdojë, sepse është i rëndësishëm dhe ne kemi një vullnet të mirë. Ne vetëm duhet të sigurohemi që takimi do të prodhojë rezultate të mira”, tha Lajçak.

Top Channel