Dy vjet pas tërmetit tragjik/ Kreu i Bashkisë Shijak: Rindërtimi i pallateve përfundon brenda marsit, do akomodohen 637 familje

26/11/2021 13:18

Dy vjet pas tërmetit tragjik, kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana këtë të premte deklaroi se pallatet e reja që po ndërtohen në lagjen Lugina do të përfundojnë brenda muajit mars të 2022.

Gazetari i Top Channel, Muhamet Veliu është rikthyer në Shijak për të parë dhe raportuar progresin e rindërtimit në këtë qytet.

Ai ndodhej në lagjen Lugina të qytetit të Shijakut, ku dy vite më parë plot 32 pallate u shpallen të pabanueshme, ndërsa sipas tij sot pamjet flasin vetë, ku e gjithë lagjia duket se është shndërruar në një kantier të madh ndërtimi.

Veliu tha se edhe në qendër të qytetit janë disa pallate në proces rindërtimi, ndërsa punimet po vazhdojnë me intensitet.

Vlen për t’u theksuar se Bashkia e Shijakut gjatë këtyre dy viteve përfundoi tërësisht procesin e rindërtimit të 802 shtëpive individuale, të cilat ishin dëmtuar nga tërmeti dhe po ashtu ka përfunduar dhe kopshti me drekë i qytetit”, tha Veliu.

Këtu ne jemi me njeriun që ka udhëhequr gjithë këtë proces, kryetarin e Bashkisë Shijak, z.Elton Arbana.

Pyetje: Progresi këtu në lagjen Luginë flet vetë dhe nuk ka nevojë për koment. Por pyetja që ngrihet është e thjeshtë, kur do të përfundojnë këto pallate dhe kur do të futen banorët?

Arbana: Duke parë mënyrën e organizimit të operatorëve ekonomikë, të cilët punojnë me dy turne, unë mendoj se i gjithë procesi i banesave kolektive siç janë pallatet do të përfundojnë brenda muajit mars të vitit të ardhshëm.

Pyetje: Sa është numri i qytetarëve që do përfitojnë apartamente këtu në lagjen Luginë dhe në pallatet e tjera që po rindërtohen në qendër të Shijakut?

Arbana: Vetëm në lagjen Lugina ndodhen 21 pallate që janë të mbuluara dhe do të akomodohen 537 familje në këtë lagje. Janë disa pallate që po ndërtohen përreth qytetit të Shijakut, ku kemi një akomodim për rreth 100 familje. Në total do të kemi një numër prej 637 familjesh që do të akomodohen në këto banesa kolektive.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA