Rruga e Arbrit hapet më 29 nëntor/ 80 për qind e rrugës bëhet e kalueshme, drejt fundit tuneli i Murrizit

25/11/2021 19:57

Një nga akset më të rëndësishme të vendit që lidh kryeqytetin me të gjithë zonën verilindore dhe qarkun e Dibrës është drejt hapjes së qarkullimit.  

Burreli, Klosi, Bulqiza dhe Peshkopia nëpërmjet Rrugës së Arbrit do të jenë të aksesueshme të gjitha brenda dy orëve.

Rruga përbëhet nga 6 tunele, 4 ura, ku ajo e Vashës dhe e Fshatit, ndër më të lartat në rajon dhe pjesa tjetër korsi e asfaltuar me dy sense në një total prej 70 km.

Menaxheri i projektit, Mihallaq Spirollari shprehet se rruga është në fazat e fundit drejt hapjes:

Siç e shikoni në këtë pjesë të rrugës së arbërit ne po asfaltojmë 2km te fundit të pjesës që do të hapet. Aktualisht me mbarimin e këtij asfalti ne sigurojmë që mbi 80% e rrugës që kemi në kontratë do jetë e aksesueshme dhe do të hapet në datën 29 nëntor.

Kjo pjesë ka një zgjidhje të përkohshme për arsye sepse formacionet janë te paqëndrueshme. Jemi edhe në hapat e fundit në tunelin e Murrizit dhe jo shumë kohë pas kësaj dite edhe ai tunel do jetë i përfunduar”.

Juvena Gjika, përfaqësuese e Ministrisë së Infrastrukturës, shprehet se qarkullimi do lejojë aksesin në zonat përreth:

Praktikisht është parë për të ndihmuar trafikun e zonave ne te cilën shtrihet territori i rrugës së Arbrit hapja e parakohshme e trafikut, duke ruajtur bifunksionin, njëkohësisht e hapur për trafikun dhe nga ana tjetër duke vijuar të jemi kantier ndërtimi. Ne si njësi e zbatimit të projektit nisur edhe nga eksperienca të tjera mund ta përkufizojmë si një nga veprat infrastrukturore më komplekse. Me kënaqësi them se kompanitë e ndërtimit ne Shqipëri kanë fituar një eksperiencë jo më lokale apo rajonale, por janë të denja për të konkurruar me kompani europiane”.

Në tunelin e Murrizit automjetet mund të qarkullojnë nëpërmjet bypass-it deri në përfundim të punimeve. Rruga e Arbrit përfundon në Bllatë, kufi me Maqedoninë e Veriut, duke lidhur Shqipërinë me Dibrën e Madhe, Gostivarin dhe Tetovën. Ashtu si Rruga e Kombit edhe kjo arterie pritet të bashkojë edhe më shumë shqiptarët e të gjitha trojeve.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA