Ministrja Kushi në 70-Vjetorin e UPT: Nxisim dhe mbështesim universitetet për më shumë projektet kërkimore shkencore

25/11/2021 16:49

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Znj. Evis Kushi ka marrë pjesë në ceremoninë e 70 Vjetorin e Universitetit Politeknik të Tiranës (UPT).

Në fjalën e saj ajo ka përmendur kontributin e madh që ka pasur UPT ndër vite, jo vetëm në arsimin e lartë, në inxhinieri por edhe në zhvillimin e vendit në drejtim të teknologjisë, inovacionit, industrisë dhe ekonomisë.

Ministrja Kushi u shpreh se një nga prioritetet e vendosura bashkë me rektorët është ndërkombëtarizimi i universiteteve, si dhe rritja e cilësisë dhe vlerave të diplomave të universiteteve shqiptare.

Në këtë pikë UPT i ka paraprirë këtij objektivi dhe është përfshirë në shumë rrjete akademike ballkanike, mesdhetare dhe evropiane.

Kushi ka përgëzuar pedagogët për nivelin e ri në të cilin është ngritur puna kërkimore shkencore. Ministria e Arsimit dhe Sportit projektet individuale apo të përbashkëta i ka mbështetur edhe financiarisht gjatë këtij viti.

“Presim edhe më shumë projekte kërkimore shkencore nga të gjitha universitetet. I stimulojmë të gjitha universitetet që të marrin pjesë në programet e mëdha të BE, si Horizon Europe,”- është shprehur Ministrja Kushi.

Për projektet cilësore ajo ka premtuar mbështetje, së bashku me Agjencinë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), me më shumë konsulencë dhe asistencë për të hartuar projekte cilësore me ekspertë vendas dhe të huaj.

Duke folur për përshtatjen me nevojat e tregut, Znj. Kushi tha se Universiteti Politeknik i Tiranës ka patur një përshtatje mjaft të mirë, duke ndjekur zhvillimet dhe dinamikat, si dhe ka krijuar marrëdhënie me kompani nga më të mëdhatë në fushat e industrisë brenda dhe jashtë vendit. Këto kompani shërbejnë më pas si potencial shumë i mirë për rritjen e mundësisë së punësimit të të diplomuarve të këtij universiteti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA