Kryeministrja e zgjedhur në Suedi, Magdalena Andersson dha sot dorëheqje disa orë pasi u zgjodh nga Parlamenti, pasi buxheti i saj dështoi dhe Partia e të Gjelbërve braktisi koalicionin.
“Është një praktikë kushtetuese që një qeveri me koalicion duhet të japë dorëheqje kur njëra parti heq dorë”, tha Andersson. Ajo shtoi se nuk dëshiron të udhëheqë një qeveri “legjitimiteti i të cilës do të vihet në pikëpyetje” nga opozita.
Andersson tha se shpreson që të zgjidhet në këtë pozitë sërish, si udhëheqëse një qeverie të pakicës me në krye Social Demokratët. Andersson të mërkurën (24 nëntor) u bë gruaja e parë e zgjedhur në pozitën e kryeministres në Suedi pasi arriti një marrëveshje në minutin e fundit për të rritur pensionet në këmbim të mbështetjes në votim.
Por Partia e vogël e Qendrës më vonë tërhoqi mbështetjen për buxhetin e Andersson, për shkak të konçesioneve ndaj të majtës, duke lënë buxhetin me vota të pamjaftueshme në Parlament. Kryetari i Parlamentit, Andreas Norlen tha se ka pranuar dorëheqjen e Anderson dhe do të kontaktojë udhëheqësit e partive para se të vendosin të enjten si do të vazhdojnë.
Top Channel