Elbasani është një nga qytetet më të ndotur nga inertet që derdhen në çdo cep të tij dhe sidomos buzë lumit Shkumbin.
Top Channel prej ditësh ka raportuar problematikën se si subjektet ndërtimore pasi shembin objektet e vjetra, tullat dhe copat e betonit i hidhen këtu anësh Shkumbinit.
Policia e Elbasanit, në një deklaratë për mediet njofton se ka evidentuar disa raste të ndotjes së mjedisit dhe ua ka adresuar bashkive përkatëse, me qëllim marrjen e masave për heqjen e tyre.
“Pas referimit të rastit nga Komisariati i Policisë Peqin, për ndotjen në luginën e lumit Shkumbin, prej disa ditësh bashkia e Peqinit vijon punën për pastrimin e mbeturinave të hedhura e grumbulluara prej vitesh në këtë luginë”, njofton policia.
Policia e Peqinit njofton se në bashkëpunim me bashkinë e këtij qyteti, ka filluar prej disa ditësh një aksion pastrimi, por nuk ka asnjë deklaratë nëse janë identifikuar autorët përgjegjës të kësaj katastrofe mjedisore dhe nëse do të vendosen përballë përgjegjësisë.
Top Channel ka treguar se si inertet dhe mbetjet urbane kanë pushtuar urën dhe aksin rrugor në daljen perëndimore të qytetit të Peqinit.
Edhe lugina e lumit Shkumbin duket se përdoret nga subjekte të ndryshme apo qytetarë për grumbullimin e masiveve të mëdha me inerte. Në 7 bashkitë e qarkut e Elbasanit, sipas inspektoratit të mjedisit, janë të përcaktuara vendet e inerteve, e megjithatë, pavarësisht sanksioneve subjektet nuk respektojnë ligjin.
Për të shkarkuar inertet ne Elbasan kamionëve nuk u duhet të qarkullojnë natën, krimi mjedisore ndodh në mesditë. Në shumë raste kamionët në ketë zonë nuk shkarkojnë vetëm inertet, por edhe mbetjet urbane, për këtë arsye ky landfill ilegal qelbet në erë ngordhësirash.
Sipas planit kombëtar të menaxhimit të mbetjeve të gjitha mbetjet e ngurta duhet të vend depozitohen në një vend te përcaktuar nga rajoni ose pushteti lokal, më pas vjen procesi i përpunimit të tyre.
Top Channel