Një gjeneral i Emirateve të Bashkuara Arabe i akuzuar për tortura është zgjedhur si president i Interpol, pavarësisht shqetësimeve të organizatave të të drejtave të njeriut dhe anëtarëve të Parlamentit Evropian.
“Zoti Ahmed Nasser al-Raisi i Emirateve të Bashkuara Arabe është zgjedhur në postin e presidentit”, shkruajti Interpol në Twitter.
Raisi, kreu i forcave të sigurisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, do të ketë një rol kryesisht ceremonial.
Do jetë sekretari i përgjithshëm i Interpol, Jurgen Stock, ai që do merret me menaxhimin e përditshëm të organizatës. Atij ju dha një mandat i dytë pesë vjeçar në 2019.
Kundër Raisit u depozituan me dhjetëra ankesa për tortura muajt e fundit në Francë dhe Turqi.
Ky emërim vjen pas një financimi nga Emiratet e Bashkuara Arabe për Interpolin, me seli qendrore në Lion të Francës.
Tre anëtarë të Parlamentit Evropian i shkruan një letër me datë 11 nëntor presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ku e paralajmëronin për emërimin e gjeneralit dhe ndikimin e tij që do të kishte në Interpol.
“Zgjedhja e gjeneralit al-Raisi do të minonte misionin dhe reputacionin e Interpol dhe do të ndikonte në aftësitë e kësaj organizate për të kryer misionin e saj në mënyrë efektive”, shkruan ata.
Në tetor të vitit 2020, 19 organizata jo qeveritare, duke përfshirë dhe Human Rights Watch, shprehën shqetësimin për zgjedhjen e Raisit, të cilin e përshkruan si “pjesë e një aparati sigurie që vazhdon të godasë kritikët e qeverisë”.
Top Channel