Venezuela ka vendosur rekordin botëror Guinness për orkestrën më të madhe në botë, pasi mijëra muzikantë vendas performuan marshimin sllav të Çajkovskit. Rekordi u vendos nga muzikantë nga Sistemi Kombëtar i Orkestrës Rinore të Venezuelës, duke hequr kështu nga froni Rusinë, që vendosi rekordin e fundit në vitin 2019, me një orkestër prej 8 097 muzikantësh.
E mbiquajtur “El Sistema” (Sistemi), orkestra venezueliane, e financuar nga fondet publike, u themelua në vitin 1975 nga maestro i ndjerë José Antonio Abreu për të siguruar akses në arsimin muzikor për mijëra fëmijë nga klasat e ulëta.
“Konfirmoj që kjo nismë ka rezultuar e suksesshme, urime”, tha përgjegjësi për shpalljen e vendimit, gjatë një ceremonie në selinë e “El Sistema”. “Ju jeni zyrtarisht i mrekullueshëm,” shtoi ai.
Edhe pse koncerti mblodhi rreth 12 000 muzikantë, përfshirë fëmijë, më 13 nëntor në oborrin e Akademisë Ushtarake të Venezuelës në Karakas, kontrolluesit e rekordeve njohën përfundimisht vetëm 8 573. “Orkestra më e madhe përbëhet nga 8 573 muzikantë dhe është interpretuar nga Sistemi Kombëtar i Orkestrave për Rininë e Venezuelës në Karakas, më 13 nëntor 2021”, thuhet në certifikatën nga Rekordet Guinness.
Vepra 12-minutëshe e Pyotr Ilich Tchaikovsky u kompozua në 1876, si një himn që synonte të frymëzonte ushtarët rusë dhe serbë në luftën kundër Turqisë. “El Sistema” mblodhi më shumë se 10 000 muzikantë për të nderuar Maestro Abreun, ditën kur ai vdiq, por ishte e pamundur të vërtetohej një rekord për shkak të afateve dhe dokumentacionit të kërkuar nga Guinness.
Top Channel