Çështja ndaj tre personave të bardhë, të akuzuar për vrasjen e afrikano-amerikanit Ahmaud Arbery i ka kaluar tashmë jurisë për vendim.
Ky zhvillim vjen pas një procesi gjyqësor gati dy-javor, gjatë të cilit prokurorët argumentuan se të pandehurit provokuan përplasjen fatale ndërsa avokatët mbrojtës këmbëngulën se klientët e tyre kishin vepruar për vetëmbrojtje.
Dy prej të pandehurve, babë e bir, Greg dhe Travis McMichael, si dhe i pandehuri i tretë, fqinji i tyre William Bryan, akuzohen për vrasjen e të riut Ahmaud Arbery në shkurt të vitit 2020.
Të pandehurit e ndoqën viktimën pasi e panë duke vrapuar në rrugët e komunitetit të tyre dhe sipas avokatëve mbrojtës, ata synonin ta kapnin dhe ta mbanin derisa të vinte policia, pasi dyshonin se ai kishte vjedhur një shtëpi aty pranë që ishte në ndërtim e sipër.
Prokurorja Linda Dunikoski i tha anëtarëve të jurisë se të pandehurit nuk mund të pretendojnë se po vetëmbroheshin nëse ishin vetë agresorët.
Zonja Dunikoski shpenzoi dy orë të martën në mëngjes duke sulmuar përpjekjet e avokatëve mbrojtës për të fajësuar 25-vjeçarin afrikano-amerikan për vdekjen e tij. Avokatët mbrojtës thanë se zoti Arbery i kishte sulmuar dhunshëm me grushte të pandehurit, duke i rezistuar një përpjekjeje të ligjshme nga ana e tyre, për ta mbajtur atë, derisa të vinte policia.
Por zonja Dunikoski tha se ndjekësit e zoti Arbery nuk kishin “distinktiv, as uniformë dhe nuk gëzonin autoritetet” për ta ndaluar atë. Ajo tha se ata ishin “thjesht disa djem të çuditshëm me një kamionçinë të bardhë”. Prokuroria citoi fjalët që të pandehurit i kishin thënë policëve, menjëherë sapo kishin qëlluar viktimën, se ata e kishin parë Arberin duke vrapuar, por nuk ishin të sigurt nëse ai kishte kryer ndonjë krim ose jo.
Avokatët mbrojtës e kundërshtuan shpjegimin e zonjës Dunikoski duke thënë se të pandehurit kishin arsye të dyshonin se zoti Arbery kishte vjedhur sende nga shtëpia.
Vrasja e afrikano-amerikanit Ahmad Arbery u bë pjesë e një lëvizje më të madhe kombëtare kundër padrejtësive racore, pas publikimit në internet të pamjeve filmike nga vdekja e tij, dy muaj nga incidenti.
Megjithëse prokurorët nuk thanë se racizmi motivoi vrasjen e tij, autoritetet federale i kanë akuzuar të tre të pandehurit për krim me bazë urrejtjen, duke pretenduar se ata e ndoqën dhe e vranë zotin Arbery, sepse ai ishte afrikano-amerikan.
Top Channel