Shpërthimi i një gome dyshohet të jetë shkaku i aksidentit tragjik në Bullgari ku humbën jetën 45 persona. Të paktën deri tani ky është varianti më i besueshëm që i afrohet dhe dëshmive të të mbijetuarve të cilët rrëfejnë se kanë dëgjuar një shpërthim para se autobusi të merrte flakë.
Ndërkohë gjatë orëve të mbrëmjes të së martës autoritetet kanë larguar nga autostrada atë që ka ngelur nga autobusi i shkrumbuar. Ndërsa në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut në Shkup qytetarë të shumtë janë mbledhur dhe kanë ndezur qirinj dhe vendosur lule në kujtim të viktimave. Qeveria maqedonase shpalli tre ditë zije kombëtare, ndërsa flamujt shtetërorë përpara godinës së saj, janë ulur në gjysmështizë.
Vetëm 7 nga 52 personat që udhëtonin në autobus arritën të shpëtojnë dhe po marrin trajtim në një spital të Sofjes në Bullgari.
Fatkeqësisht, shumica e viktimave ishin shqiptarë, ata po ktheheshin në Shkup nga Stambolli ku kishin qëndruar për një vizitë tre ditore.
Një detaj i dhimbshëm u bë publik nga mediat maqedonase gjatë ditës së martë, në derën e mesit të autobusit, u gjet e djegur një grua bashkë me dy fëmijët e saj të vegjël. Mësohet se 12 prej viktimave ishin fëmijë. Ky është aksidenti më i rëndë i 10 viteve të fundit në Europë.
Top Channel