Shoferët të frikësuar nga kushtet e reja për rimarrjen e patentës/ DPSHTRR sqaron rregullin që hyn në fuqi nga dhjetori

24/11/2021 16:26

Shoferët që do rinovojnë apo rimarrin lejen e drejtimit, duhet t’i nënshtrohen një interviste për të vërtetuar se janë të mirë informuar për rregullat e qarkullimit rrugor si dhe për sistemin e pikëzimit të patentës.

Shumë drejtues mjetesh janë dyndur drejt sporteleve të DPSHTRR për rinovimin para kohe të lejedrejtimit, pasi i druhen rregullave të reja.

Por, DPSHTRR sqaron se nuk ka asnjë ndryshim procedure për drejtuesit korrekt të mjeteve rrugore. “Pra për tërë ata që janë me pikë të plota dhe pa tre kundravajtje të rënda të përsëritura në vitin e fundit paraardhës!”

“Ky reagim na dëshmon se ka shumë individë që i tremb vetvetja, të cilëve si kategori u paskemi prekur damarët e duhur dhe na konfirmon se po po bëjmë gjënë e duhur me Pit-Stopin Edukativ”, shkruan DPSHTRR, në një sqarim publik, duke shpejguar dhe njëherë rregullat e reja:

-Do të ketë një Pit-Stop Edukativ për këdo që sistemi i Policisë Rrugore e alerton si kontigjent përsëritës, me tre shkelje të rënda, me heqje pikësh, në vitin e fundit paraardhës!

-Do të ketë një Pit-Stop Edukativ për këdo që rinovon Lejedrejtimin nëse ka mbi tre vjet që i ka skaduar!

-Nuk ka asnjë tarifë shtesë për ata që do t’i nënshtrohen Pit-Stopit Edukativ

Çdo aplikant që rinovon lejedrejtimin do të marrë dhuratë nga DPSHTRR një libërth informativ, orientues, këshillues mbi situatat dhe nocionet bazë të trafikut dhe të kujdesit për të tretët në qarkullim!

Çdo vit rreth 100 mijë qytetarë rinovojnë lejedrejtimin, sipas të dhënave të DPSHTRR dhe ky proces është i nevojshëm për të rritur sigurinë në rrugë, teksa shtohen me shpejtësi përdoruesit e saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA