Tre partitë e koalicionit të ardhshëm qeveritar ranë dakord për të formuar qeverinë e re të Gjermanisë. Zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor mbështetet në Marrëveshje.
Kandidati i partisë socialdemokrate gjermane, Olaf Scholz tha se tre parti kishin arritur një marrëveshje për të formuar një qeveri të re të Gjermanisë. Kjo qeveri do t’i japë fund epokës së kancelares Angela Merkel. Scholz deklaroi se kjo qeveri nuk do të kërkojë “emëruesin më të vogël të përbashkët, por politikën e ndikimeve të mëdha”. Ai tha se pret që anëtarët e partive të japin mbështetje për marrëveshjen e koalicionit në 10 ditët e ardhshme.
Sipas marrëveshjes 177 faqëshe që u arrit pas dy muajsh diskutimesh, tri partitë duan të avancojnë investimet publike në teknologji të gjelbërta dhe dixhitalizim.
Kjo marrëveshje do të instalojë koalicionin e parë federal në Gjermani në mes të Social Demokratëve (SDP), liberalëve, Demokratët e Lirë (FDP) dhe ambientalistëve, Të Gjelbërtit.
Marrëveshja i jep SPD Kancelarin dhe Ministrinë e Brendshme, të Punës, Mbrojtjes dhe Shëndetësisë.
Të Gjelbërit do të marrin zv/kancelarin, Ministrinë e Jashtme, Ekonomisë, Mjedisit, Familjes dhe ministritë e Ushqimit dhe Bujqësisë. Ata do të ruajnë të drejtën për të emëruar Komisionerin Evropian, por me kushtin që të mos jetë nga Gjermania.
Liberalët do të marrin Ministrinë e Financave, një post që me shumë gjasa do t’i shkojë kreut të partisë Christian Lindner. Ata gjithashtu do të udhëheqin Ministrinë e Drejtësisë, Transportit dhe Arsimit.
Ky koalicion do të shënojë fundin e qeverisë konservatore të udhëhequr nga Angela Merkel për 16 vite, duke vendosur kështu një epokë të re në marrëdhëniet me Evropën dhe Botën.
“Ne duam të guxojmë të arrijmë më shumë progres. Ne do të investojmë masivisht në Gjermani për ta mbajtur një vend të përparuar”, tha Scholz në një konferencë në Berlin.
Ndizet drita jeshile për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut
Marrëveshja e re e koalicionit “semafor” mes socialdemokratëve (SPD), të Gjelbërve dhe liberalëve (FDP), është pasuar nga një dokument që rendit Shqipërinë dhe Kosovën mes pikave kryesore të politikës së jashtme gjermane.
European Western Balkans ka mësuar se marrëveshja propozon hapjen e kapitujve të parë të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, liberalizimin e vizave për Kosovën dhe vazhdimin e negociatave me Malin e Zi dhe Serbinë.
“Ne mbështesim integrimin evropian të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe, në këtë kuptim, reformat e nevojshme për të përmbushur të gjitha kriteret e Kopenhagës”, thuhet në dokument.
Në këtë kuadër do të forcohet edhe shoqëria civile, shtohet më tej.
Duke iu kthyer Ballkanit Perëndimor, ata do të mbështesin normalizmin e dialogut – të udhëhequr nga BE-ja – ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, autoritetet gjermane, do të përpiqen të mbështesin ruajtjen e integritetit territorial dhe tejkalimin e ndarjeve etnike.
Po ashtu marrëveshja nënvizon se paralelisht me negociatat e anëtarësimit, duhet të përmirësohet kapaciteti i BE-së për të pranuar anëtarë të rinj.
Merkel ka udhëhequr Gjermaninë dhe Evropën në mes të disa krizave si dhe ka qenë një kampione për demokraci liberale kur autoritarizmi po shpërndahej nëpër botë.
Kritikët e saj thonë se ajo ka menaxhuar më shumë sesa ka zgjidhur probleme, ndërsa u ka lënë pasardhësve të saj vendime të vështira në disa rrafshe.
Aleanca që arriti koalicionin ka një shumicë në dhomën e ulët të Parlamentit dhe shpreson që qeveria do të betohet muajin e ardhshëm pasi partitë të ratifikojnë koalicionin.
Ky koalicion do të përballet me sfida të menjëhershme pasi Gjermania po përballet me një nga valët më të mëdha të COVID-19, si dhe me një Evropë që po përballet me pasojat e Brexit dhe krizën e kufirit të BE-së me Bjellorusinë.
Top Channel