Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha raportoi se trupi gjykues për gjyqin kundër Shullazit pasi u tërhoq në dhomë këshillimi vendosi ta japë vendimin më datë 3 dhjetor.
“Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, sot më datë 24.11.2021, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u zhvillua seanca gjyqësore për çështjen me nr. 1/4/5/24/138 akti, datë regjistrimi 13.12.2018,mbi ankimin e Prokurorit dhe mbi ankimet e të pandehurve E.Sh., E.Z., G.D., E.Q., dhe B.Sh. Gjykata pasi shqyrtoi çështjen, shtyu shpalljen e vendimit për në datë 03.12.2021, ora 13:00”, thuhet në njoftim.
Çfarë ndodhi në seancën maratonë?
Gjyqi që vijonte që prej orës 13:00, u zhvillua më pas pa praninë e të akuzuarve dhe pa avokatët në sallë.
Në këto kushte gjykata ka lexuar apelimet e tre prej avokatëve në mungesë të tyre dhe të akuzuarve ndërkohë që janë dhënë edhe konkluzionet përfundimtare nga dy prokurorët e posaçëm Altin Dumanit Eneid Nakuçit të cilët kërkuan shpalljen fajtor dhe lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë që e dënonte mes të tjerave Emiljano Shullazin me 14 vite burgim.
Por në përfundim prokurorët e posaçëm janë tërhequr sa i takon 5 akuzave në adresë të Shullazit dhe 4 anëtarëve të këtij grupi , mësohet se bëhet fjalë për akuzën e gjobëvenies së një biznesmeni në Lushnje.
Ndërkohë siç rezultoi nga shkalla e parë Shullazi nga 8 akuza u shpall fajtor për 3. Për këtë arsye prokurorët kërkuan lënien në fuqi të këtij vendimi me dënimin në total me 55 vite burgim për 5 të akuzuarit që mungonin.
Procesi me pesë të dënuarit nën akuzë për grup kriminal ka ngecur prej 2018 atëherë kur ata u dënuan me 55 vite burgim në total. Për gjykatën ngërçi është krijuar nga dorëheqjet e avokatëve të caktuar nga shteti , ndërsa për avokatet që i kanë zgjedhur 3 prej tyre, problem nuk qëndron tek mbrojtja.
Në çështjen Shullazi lista e avokatëve të dorëhequr është e gjatë ndërsa 27 prej tyre janë gjobitur nga gjykata e apelit të posaçëm. Për të ardhur në ditën kur gjykata vlerësoi se në fakt edhe Gilmando Dani edhe Blerim Shullazi , kanë mundësi financiare për të paguar një avokat, ndaj urdhëroi zhbllokimin e procesit.
Top Channel