Pas zhvillimit të javës së 9 të Abissnet Superiores, emisioni dedikuar futbollit shqiptar, “Analizë Superiore”, nën drejtimin e Sokol Xhihanit dhe me video-analistin e Shqipërisë U19, Fatjon Bardhi, ka përditësuar formacionin më të mirë deri tani.
Ajo që vlen të theksohet është se ka ndryshime në secilën pjesë të fushës, duke nisur që nga porta. Kështu, vendin e Visar Bekajt e ka marrë Bruno Puja. Gardiani i Egnatias ishte një nga më të mirët në fushë për rrogazhinasit në takimin që këta të fundit e mbyllën në barazim 1-1 ndaj Dinamos. Ndërkohë, në mbrojtje edhe Erdenis Gurishta e ka humbur vendin e tij dhe tashmë në atë pozicion është vendosur Roganovic i Laçit.
Nga ana tjetër, në repartin e mesfushës Redon Xhixha ka përfunduar jashtë formacioni duke qenë edhe se është dëmtuar dhe në sfidën e fundit të kampionatit nuk ishte në fushë për Tiranën. Në vendin e tij është rikthyer Liridon Latifi i Vllaznisë, i cili ishte një nga më të mirët e Vllaznisë në suksesin 3-1 ndaj Kastriotit.
Sa i përket sulmit, aty është konfirmuar Taulant Seferi me sulmuesin e Tiranës që është në këtë javë gjeti rrugën e rrjetës edhe pse goli i tij nuk i shërbeu bardhebluve. Për lojtarin tjetër në ofensivë ka një rokadë mes dy dinamovitëve. Nga 11-tëshja më e mirë është larguar Chinedu dhe është bërë pjesë e saj, Ibraimi.
Top Channel