Rexhep Tajip Erdogan është i bindur se rënia dramatike e lirës turke është ndikuar nga jashtë. Presidenti përforcoi mbështetjen e tij për uljen e normave të interesit, duke paralajmëruar se vendi ishte në një “luftë për pavarësi ekonomike”.
Monedha turke pësoi rënie drastike pasi aktualisht 13 lira shkëmbehen për një dollar, një rënie prej 15 për qind. Turqia po përballet me krizën më të rëndë të monedhës së saj nga gushti i vitit 2018, kur vlera e lirës arriti në nivelet më të ulëta historike gjatë një mosmarrëveshjeje me presidentin e atëhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Banka Qendrore Turke së fundi iu nënshtrua presionit të presidentit Erdogan dhe uli normën e saj nga 16 në 15 për qind, pavarësisht rritjes së inflacionit dhe zhvlerësimit të shpejtë të monedhës.
Erdogan, një kundërshtar i hapur i normave të larta të interesit, e ka ndërtuar gjithmonë popullaritetin e tij mbi një reputacion të rritjes së fortë ekonomike dhe përmirësimit të të ardhurave të familjeve në të gjithë vendin.
Ai është i njohur për besimin e tij të fortë se normat e larta të interesit shkaktojnë inflacion në vend që të ndihmojnë në uljen e tij.
“Ne shohim lojën e atyre sa i takon monedhës, interesit dhe rritje së çmimeve … dhe ne tregojmë vullnetin tonë për të vazhduar me planin tonë të lojës. Nga kjo luftë, ne do të dalim fitimtarë”, u shpreh ai.
Top Channel