Birësimi i fëmijëve nga komuniteti LGBT është një nga çështjet më të diskutuara në vend dhe botë.
Ndërsa u pyet për birësimin e fëmijëve nga komuniteti LGBT, prindërit e vetëm dhe ata nën 35 vjeç Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët e la si çështje të hapur, duke theksuar se është fantastike t’i japësh një fëmijë dashuri.
“Mendoj që birësimi është një gjë kaq e bukur dhe është fantastike kur ti mund t’i japësh një fëmije i cili nuk ka dashuri njerëzore dhe pastaj pjesa tjetër duhen diskutuar, menduar por e rëndësishme është që s’ka gjë më të bukur se birësimi, të paktën për ata që nuk kanë fëmijë vetë ”, tha ministrja.
Kujtojmë se qeveria shqiptare ka rikthyer diskutimin për lejimin e birësimit dhe për rastet kur çifti nuk është burrë dhe grua.
Në planin kombëtar të veprimit për personat LGBTI+ parashikohet ndryshimi i kodit të familjes, kodit penal dhe ligjit të birësimit.
Në propozimet e bëra me herët nga komuniteti LGBTI + për këtë pikë kërkohet që neni 163 që saktëson termin “mes burrit dhe gruas që jetojnë në çift, e karakterizuar nga një jetë e përbashkët, që paraqet një karakter stabiliteti dhe vazhdueshmërie” të zëvendësohet “mes 2 personave që jetojnë në çift, e karakterizuar nga një jetë e përbashkët, që paraqet një karakter stabiliteti dhe vazhdueshmërie”. Projektligji parashikon ndërhyrje në kodin e familjes për lejimin e bashkëjetesës për personat nga e njëjta gjini.
Sipas projektit të qeverisë, këto ndryshime duhet të nisin në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2024.
Një tjetër ndryshim propozohet dhe për njohjen të identitetit gjinor, ku në fillim të vitit 2022 do të propozohet dhe miratimi i ligjit për këtë çështje. Në dokument thuhet se këtyre nismave legjislative duhet t’u jepet prioritet në periudhën e ardhshme, me qëllim që legjislacioni shqiptar të përputhet me standardet ndërkombëtare dhe ato të BE-së.
Një tjetër projekt është dhe ndryshimi i ligjit të strehimit ku komuniteti LGBTI + do të përfshihet mes grupeve përfituese.
Për të mos lejuar diskriminimin, qeveria shqiptare kërkon fuqizimin e kapaciteteve në njësive vendore, por dhe të institucioneve të drejtësisë, të cilat duhet të raportojnë dhe të mos lejojnë diskriminimin.
Top Channel