Tuzi është qendër në Malësinë e Madhe dhe njëjtë si qendrat e banuara të ndara me kufi, i jep Malësisë së Madhe dy koka: Koplikun dhe Tuzin.
Tuzi është një vendbanim shqiptar, në kufi me Shqipërinë dhe Podgoricën e mesa duket i pari që në “Balkan Project” na uron mirëseardhjen është Patër Mirash Miraj.
Të gjithë e njohin, të gjithë e duan. Ilnisa Agolli e takon këtu tani, pas një periudhe 6-të vjeçare kaluar në Shqipëri, në Kishën e Laçit. Aty ku “Katolikë e Muslimanë”, Shna Ndou i bën bashkë. Fretërit në Mal të Zi, dikur ishin pjesë e Provincës Françeskane Shqiptare dhe përgjatë rrëfimit të tij, Fra’ Mirashi tregon se s’i u bë shkak kjo kishë në Tuz, për të sjellë familjet e para që ishin vetëm katër at’kohë dhe formuar kështu një vendbanim ngadalë.
Mandej, gazetarja Agolli rrugëtimin e çon drejt zonave rurale. Ka shumë fshatra këtu që duhen parë dhe ndjerë mikëpritja. Kudo ku troket, një derë çelet dhe një sofër shtrohet. Si ajo që gjyshi Nush me çfarë i’u gjend e bën dhe thotë: “ Kombi i malësorit dhe shqiptari me ju gzue kur vjen jabanxhia në shpi. Pa miq nuk ka jetë.”
Ai flet për traditën, luftën, vuajtjen dhe rreziqet që kaloi ky vend në çdo kohë, nga maja e Deçiçit tek gjurma që la Ded Gjo’ Luli me shqiptarë në luftën kundër osmanëve me gjurmën e flamurit kombëtar. Tuzi është i vogël, por me fise të mëdha krenare. Ndërmarrës, artistë, heronj.
Tuzi i vogël ka një natyrë madhështore dhe ngjan si një pikë kalimi për të shkuar në Podgoricë, por nuk është ashtu. Për kaluesit përtacë të rrugës me kryeqendër Malin e Zi, Tuzi është vetëm ai sheshi në anë të rrugës shtetërore… ku si në traditën më të mirë të qyteteve tona ish osmane, apo ish jugosllave ka pak nga gjithçka.
Por si ishte Tuzi në vitet ‘90? Çfarë mendojnë banorët e Malësisë së Madhe, sot? A ka një kufi ndarës të shqiptarëve katolikë dhe malazezëve ortodoksë dhe sa ndikoi Gjeloshaj, në metamorfozën e kthimit të Tuzit nga një fshat i madh në komunë?
Çfarë është Tuzi? “De Jure” një kufi? Apo Tuzi është më i madh se Tuzi?
Shiheni episodin e plotë:
Top Channel