Kosova e shpalli 24 nëntorin ditë zie, pas tragjedisë së ndodhur në Bullgari, ku humbën jetën 46 persona, shumica prej tyre shqiptarë të Maqedonisë së Veriut në aksidentin e ndodhur në autostradën Struma rreth 45 kilometra në perëndim të Sofjes në Bullgari.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, i ka dërguar telegram ngushëllimi homologut të saj nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmani, për humbjen e jetëve të dhjetëra qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në aksidentin tragjik në mëngjesin e sotëm në Bullgari.
Gërvalla ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për çdo gjë të nevojshme.
Kujtojmë se autobusi me targa maqedonase me 53 pasagjerë, shumica nga Maqedonia e Veriut, u përfshi nga flakët në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte.
Në mesin e viktimave kishte edhe të paktën 12 fëmijë. Një zyrtar nga spitali në Sofje tha se shtatë persona janë duke u trajtuar, të cilët kanë arritur të largohen nga autobusi.
Sipas zyrtarëve maqedonas, shumica e viktimave ishin nga Shkupi dhe ishin duke u kthyer nga Stambolli i Turqisë, ku kishin qëndruar në një vizitë treditore.
Autobusi që shkaktoi aksidentin është në pronësi të agjencisë turistike “Besa Trans”, e cila sipas Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve të Maqedonisë së Veriut, ka pasur licencë të rregullt për transport ndërkombëtar, por Inspektorati Shtetëror për Transport ka bërë të ditur se ndaj kësaj kompanie gjatë këtij viti janë ngritur katër padi për mosrespektimin të protokolleve kundër COVID-19.
Bashkë me Kosovën, edhe Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë shpallur ditë zie kombëtare.
Top Channel