Joe Biden urdhëroi hedhjen e 50 milionë fuçi nafte në treg nga rezervat strategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me qëllimin të ndikohet në uljen e çmimit të naftës, një veprim ky i koordinuar edhe me vende të tjera si Kina, India dhe Britania e Madhe, thotë VOA.
Masat e reja synojnë të ndikojnë në tregjet globale, por po ashtu edhe tek votuesit amerikanë, që po ndeshen me rritjen e inflacionit dhe të çmimeve para festës së Falënderimeve dhe udhëtimeve të fundvitit.
Çmimet e benzinës gati janë dyfishuar krahasuar me një vit më parë.
Ligjvënësit republikanë e kanë kritikuar administratën e Presidentin Biden për rritjen e inflacionit, që kapi shifrën e 6.2 për qind në tetor, më e larta e 31 vjetëve të fundit.
Rezervat Strategjike të Naftës janë një sasi nafte që ruhet për situata emergjente si fatkeqësi natyrore apo çështje të sigurisë kombëtare.
Shtetet e Bashkuara kanë rreth 605 milionë fuçi nafte në rezerva. Sipas statistikave amerikanët konsumuan 20.7 milionë fuçi nafte në ditë gjatë shtatorit.
Kjo nënkupton që sasia e hedhur në treg nga rezervat është e barabartë me nevojat për dy ditë e gjysmë.
Top Channel