Aktorja legjendare italiane Gina Lollobrigida ka pajtuar së fundmi një avokat të njohur anti-mafia teksa lufton ligjerisht për pasurinë e saj më shumë se 40 milionë dollarë, me të birin që nuk sheh prej kohësh.
94-vjeçarja e njohur dikur si gruaja më e bukur në botë, ka rekrutuar ish-prokurorin e Palermos, Antonio Ingroia teksa përgatitet për raundin e ardhshëm të betejës ligjore me të birin Milko Skofic.
Skofic akuzon asistentin e nënës së tij, 34-vjeçarin Andrea Piazzolla se i ka vjedhur para, dhe muajin e kaluar fitoi një urdhër ligjor për të kontrolluar financat e saj, duke i lejuar gruas se moshuar vetëm shpenzime të përditshme deri në zgjidhjen e betejës ligjore.
Por të dielën, në një intervistë të përlotur televizive Lollobrigida tha se “po turpërohej” prej të birit duke kërkuar të drejtën “të jetonte pleqërinë pa u grabitur e në paqe.”
“Nuk e meritoj këtë”, tha ajo në intervistën në Rai1. “Nuk kam bërë gabime, e megjithatë familjarët e mi janë të tërbuar me mua e nuk më lënë në paqe”.
“Në moshën time duhet të qëndroj në paqe, por ende nuk e kam. Kam të drejtën të jetoj e të vdes në paqe”.
Lidhja e Lollobrigida me Piazzolla vjen prej më shumë se një dekade, kur ai u bë shoferi i saj në moshën 24 vjeçare.
Më vonë ai u rrit në detyrë duke u bërë kujdestar i saj e më pas menaxher, para se të vendosej për të jetuar me të, së bashku me partneren e tij.
Prej vitesh ka spekulime për natyrën e marrëdhënies mes të dyve pasi shpesh Piazzolla është shfaqur në ceremoni zyrtare në krahun e Lollobrigida.
Çështja kundër tij dation prej vitit 2015, kur asistenti akuzohet se mori kontrollin e kompanisë Vissi D’arte e cila menaxhon asetet e Lollobrigida, kohë në të cilën janë shitur tre prona luksoze të aktores dhe asistenti ka blerë një makinë sportive Ferrari.
Piazzolla akuzohet se ka transferuar qindra mijëra dollarë në emra të të afërmve të tij nga llogaritë e aktores së famshme.
Akuzat e fudit kanë të bëjnë me rreth 350 vepra arti dhe antika me vlerë rreth 300 000 dollarë që Piazzolla akuzohet se ka shitur pa dijeninë e Lollobrigida.
Prandaj i biri Skofic i ka kërkuar gjykatës së lartë italiane të ngrijë asetet e të ëmës për të ndaluar ‘abuzimet’ e perceptuara prej tij.
Dhe gjykata në tetor vendosi në favor të tij duke pranuar ankimimin se Lollobrigida ka një sens “të dobët të realitetit” dhe rrjedhimisht është e hapur ndaj shfrytëzimit.
Por pas vendimit aktorja ka pajtuar tashmë avokatin Ingroia i cili ka demaskuar gazetarin “anti-mafia” Pino Maniaci për zhvatje.
Ingroia tha të dielën në RAI 1: “Jam avokati i saj pasi ajo ka nevojë për dikë që të luftojë në krah të saj. Prej vitesh kam, luftuar mafian dhe në të njëjtën frymë do të veproj edhe për Gina Lollobrigida.”
Duke folur në rrjetin Il Sussidiario, ai akuzonte të birin Skofic se po interesohej për të vetëm prej shqetësimit për paratë.
“Problemi nuk është se zonja Lollobrigida nuk ndjehet mirë, por është në fakt trashëgimia e tij”, tha ai.
Duke folur për marrëdhënien e saj me Piazzolla në Rai1, Lollobrigida tha se e konsideron si një bir të sajin.
Ndërsa për ceremonitë e filmit, aktorja thotë se Piazzolla e shoqëron atë pasi mund të flasë anglisht dhe vepron dhe si përkthyes i saj.
Top Channel