Një hetim vrasjeje ka nisur në Kenia pasi një punonjëse e rrjetit britanik BBC është gjetur e vdekur në dhomën e saj të hotelit.
Britanikja Kate Mitchell, punonte për degën e bamirësisë të rrjetit televiziv shtetëror BBC, Media Action.
Ajo u gjet e vdekur të shtunën, pak pasi në dhomën e saj ishte aktivizuar sistemi i alarmit, tha policia vendase.
Ndërkohë dritarja e dhomës së saj në katin e tetë ishte e thyer dhe trupi i një burri që kishte qenë më herët me të u gjet përtokë jashtë hotelit.
“Ne jemi ende duke hetuar për deri tani duket se burri është hedhur nga dritarja e katit të tetë pasi ka vrarë britaniken”, tha drejtuesja e policisë së Nairobi, Augustine Thumbi, për rrjetin AFP.
“Për momentin motivet nuk janë ende të ditura dhe hetuesit po punojnë për identifikimin e rrjedhës së ngjarjeve”, shtoi ajo.
Në një deklaratë të rrjetit BBC thuhej se Mitchell punonte prej 14 vjetësh për organizatën dhe kohët e fundit kishte qenë drejtuese projekti në kryeqytetin e Etiopisë, Addis Ababa.
“Jemi të gjithë të shokuar nga ky lajm i tmerrshëm,”, tha kolegia e viktimës në BBC, Med Caroline Nursey.
“Kate ishte një anëtare shmë e dashur e stafit dhe e njohur nga grupet tona në Etiopi, Sudan, Zambia, e Londër”.
Dega e bamirësisë ku e ndjera punonte fokusohej në shtimin e përdorimit të medias dhe mbështetjes komunitare për grupet e marxhinalizuara në të gjithë botën.
Top Channel