
Sfida e javës së 14-të të Ligue 1, Lion-Marsejë, u ndërpre që në minutën e pestë pasi një tifoz i vedasve goditi me një shishe të mbushur me ujë futbollistin kundërshtar, Dimitri Payet.
Edhe pse tifozët qëndruar për gati dy orë në pritje të rifillimit të takimit, diçka e tillë nuk ndodhi. Presidenti i Lionit, Jean-Michel Aulas, reagoi ashpër pas vendimit për ndërprerjen përfundimtare, duke sulmuar drejtuesit e Olimpikut të Marsejës.
“Pyetja është pse u desh kaq shumë kohë? Ne takuam Prefektin dhe përfaqësuesin e Ligës, dhe ishte arbitri ai që mori vendimin për të vazhduar. Nuk kishte rrezik të hidheshin objekte të tjera në fushë dhe personi përgjegjës ishte ndalur tashmë. Ne i lamë tifozët të mendonin se loja do të rifillonte dhe në vend të kësaj u ndërpre, jo nga presioni i një shisheje, por nga drejtuesit e Marsejës, të cilët nuk donin që ndeshja të rifillonte”.
Mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi i institucioneve të futbollit francez në lidhje më këtë rast. Kuptohet qartë që Lioni do të ndëshkohet për veprimin e tifozit, tashmë të arrestuar, por Marseja do të kërkojë fitoren në tavolinë. Në një rast të ngjashëm, ndeshja e ndërprerë mes Nices dhe Marsejës, më 22 gusht, u riluajt pas më shumë se dy muajsh.
Top Channel